Vodhi kishat në Voskopojë, arrestohet në Tiranë
Një person që dyshohet se ka vjedhur kishën e Voskopojës më 18 maj të këtij viti është vënë në pranga në Tiranë. Inspektorët e Korçës, menjëherë pasi gjykata ka dhënë masën e arrestit në burg për Xhentil Xhevahir Kupen, 43 vjeç dhe informacioneve se ai banonte në Tiranë i janë drejtuar për ndihmë policisë kryeqytetase. Për arsye se i kërkuari jetonte në rrugën “Mujo Ulqinaku”, në territorin e Komisariatit të Policisë Nr.3, inspektorët e kërkimit të Korçës u janë drejtuar krerëve të uniformave blu atje për marrjen e informacioneve të nevojshme dhe më pas vënien në pranga të personit të kërkuar. Prej më shumë se dy ditësh ata kanë mbajtur në vëzhgim banesën e të kërkuarit, por pa mundur të verifikonin nëse ndodhej pranë familjes.
Nga një informacion i marrë në rrugë operative, inspektorët dhe kolegët e tyre nën drejtimin e shefit të Komisariatit Nr.3 shkuan për të verifikuar vendndodhjen e të kërkuarit në një lokal pranë stadiumit “Qemal Stafa” dhe kur nuk e kanë gjetur aty i kanë besuar më shumë vëzhgimit të nisur të vendbanimit të tij.
Sipas policisë, 43-vjeçari është vënë në pranga rreth orës 23:40, teksa po hynte në banesë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, Romeo Spaho, 43 vjeç, banues në Kamzë.
Burime policore thanë për gazetën “Shqip” se të dy personat dyshohet se kanë kryer vjedhjen e kishave të “Shën Thanasit” dhe “Shën Mërisë”, në zonën e Voskopojës. Të njëjtat burime saktësuan se kishin qenë banorët e zonës ata që vunë në dijeni uniformat blu se autori i dyshuar i këtyre vjedhjeve ishte Xhentil Kupe, i biri i Xhevahirit. Madje, ata kanë dhënë edhe informacion të vlefshëm për mjetin me të cilin ai kishte lëvizur në ato anë në kohën që kishte kryer edhe vjedhjen. Sipas dëshmive, Kupe lëvizte me një autoveturë tip “Benz” me targa TR4722J, që rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Romeo Spaho. Kaq u ka mjaftuar agjentëve antikrim për të përgatitur dokumentacionin dhe çuar në gjykatë dosjen e 43-vjeçarit Kupe. Togat e zeza në bazë të të dhënave të servirura nga policia kanë dhënë “arrest në burg” edhe pse në mungesë për Xhentilin. Menjëherë kanë nisur verifikimet dhe nga të dhënat e sakta rezultoi se i kërkuari jetonte prej 12 vjetësh në Tiranë. Madje, ai ishte kurorëzuar me martesë të dytë pas zgjidhjes së të parës, gjë që i ka detyruar uniformat të kërkojnë edhe në fshatin Shëngjergj Kupen, pasi dyshohej se rrinte te njerëzit e bashkëshortes.
#