E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria vë nën akuzë dy hakera italianë

Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualin grabitën në 100 raste bankomatet, shkaktuan 75 mijë euro dëme

Dy hakera italianë janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohen se kanë grabitur në 100 raste bankat, duke shkaktuar një dëm prej 75 mijë eurosh. Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualin grabisnin bankomate me anë të kartave të kreditit të klonuara, ndërsa për faktimin e veprës penale kanë shërbyer aparaturat e vjedhjes së informacioneve, si dhe 400 karta krediti të klonuara. Nga hetimet disamujore të njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë në kryeqytet është arritur të zbardhen edhe transaksionet e parave, ndërsa autorët i përdornin të hollat për një jetë luksi në kryeqytetin shqiptar. 25-vjeçarët nga Xhenova e Italisë e kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në Shqipëri duke blerë në qendra tregtare edhe mallra luksozë, ndërsa në 100 raste arritën të grabisin bankomatet e bankave të niveleve të dyta. Prokuroria thotë se italianët e kanë kryer këtë aktivitet në vendlindje dhe pasi ishin vënë nën shënjestër atje, erdhën për të vazhduar aktivitetin në vendin tonë. Dy “piratët” e bankave u arrestuan disa javë më parë në një qendër tregtare në Tiranë, teksa po grabisnin bankomate të ndryshme me anë të kartave të klonuara të kreditit.

Dosja

Burime të prokurorisë saktësuan se arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy italianët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në vende dhe kohë të ndryshme, kanë kryer tërheqjen e shumave të parave në mënyrë të paligjshme në bankomatet e disa prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Ata për realizimin e aktivitetit të paligjshëm kanë përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Si provë materiale për të faktuar veprimtarinë e italianëve, hetuesit e çështjes i kanë servirur gjykatës vëzhgime dhe përgjime të realizuara nga ekspertët antikrim. Po ashtu, është dokumentuar edhe rasti në momentin e arrestimit, ku dy 25-vjeçarët italianë po mundoheshin të grabisnin të holla në një nga ATM-të e një banke. Nga kontrolli në momentin e kapjes në flagrancë dhe i ambienteve të dhomës së një hoteli luksoz në Tiranë, ku ishin akomoduar, u gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale një kompjuter laptop, me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader”, që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare, nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23 000 eurosh, një shumë prej 200 000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë, një autoveturë e tipit “Chrysler”, ma targë TR 7726 R, me ngjyrë të zezë dhe një dosje për kamuflimin e kartave plastike.

Hetimet

Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka dokumentuar rreth 100 raste të grabitjes të ATM-ve, ndërsa ende është me dyshim se ky grup këtë aktivitet kriminal e kryente për herë të dytë në Shqipëri. Fillimisht prokuroria, duke u nisur edhe nga provat e mbledhura, dyshonte se në degët e bankave të niveleve të dyta ishin kryer mbi 750 transaksione, nga këto rreth 350 kishin rezultuar të suksesshme. Gjatë aktivitetit të italianëve mësohet se janë përdorur mbi 250 karta krediti, me anë të së cilave ata kishin arritur të siguronin dhjetëra milionë lekë. Sipas prokurorisë është dokumentuar vetëm një dëm prej 75 mijë eurosh. Sipas të dhënave nga dosja, një nga bankat ka denoncuar në prokurori gjetjen e kartave të klonuara, pjesa më e madhe e të cilave mbaheshin nga automatet, gjatë tentativave të dy italianëve për të vjedhur llogaritë bankare të personave të ndryshëm. Të dhënat e klientëve të bankave ata arrinin t’i vidhnin nëpërmjet pajisjeve të veçanta që kishin siguruar në vendin e tyre.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›