Falsifikuan 30 mijë euro, në gjyq çifti
Dy persona janë vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës nën akuzën e falsifikimit dhe shitjes së kartëmonedhave të falsifikuara. Skënder Buçpapaj dhe Entela Dardha akuzohen nga njësia Task-Forcë në kryeqytet se kanë vënë në përdorim 33320 euro të falsifikuara. Nga hetimet disamujore të njësisë së përbashkët hetimore antikorrupsion është zbuluar se dy shtetasit e mësipërm kanë konsumuar vepër penale. Dosja është regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe së shpejti pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit dhe të datës së fillimit të shqyrtimit gjyqësor. Sipas të dhënave të prokurorisë, Buçpapaj dhe Dardha janë arrestuar në flagrancë nga policia gjatë operacionit të koduar të policisë “EuroMat”. “Këta shtetas akuzohen për veprën penale të vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara në bashkëpunim. Arrestimi i tyre u bë pas një investigimi disamujor, ndërsa janë kapur në flagrancë teksa po tentonin të këmbenin një shumë të konsiderueshme kartëmonedhash euro false”, thanë burimet nga prokuroria, ndërsa si provë materiale prokuroria do të përdorë në gjykatë edhe sasinë prej 33 320 euro, kartëmonedha të gjitha të prerjes 20 euro me dy numra serie të njëjtë. Ndërkohë, dy të pandehurit mund të akuzohen edhe për shpërndarje të lëndës narkotike, pasi u janë sekuestruar disa qese mostra për shitje. Prokuroria dyshon se këta të pandehur ishin pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të eurove të falsifikuara dhe drogës, ndërsa hetimet për gjetjen e burimit të këtyre kartëmonedhave janë ndarë.
#