E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bandat e Durrësit, gjyq për drejtësinë

Tension midis gjyqtarëve, prokurorëve e avokatëve. Të pandehurit “spektatorë”

Seanca e 126 në procesin gjyqësor ndaj 17 të pandehurve të bandave të Durrësit është karakterizuar nga debate të zjarrta midis gjykatës, prokurorisë dhe avokatëve. Palët në proces kanë “kërcënuar” njëra-tjetrën gjatë gjithë seancës gjyqësore, ndërsa debatet kanë kaluar deri diku në personale, pasi mbrojtësit ligjorë, përfaqësuesit e akuzës dhe anëtarët e trupit gjykues kanë bërë një “gjyq” për drejtësinë. Dikush i cilësonte pyetjet që i drejtoheshin dëshmitarit si të pabazuara në ligj, ndërsa nuk kanë munguar ofendimet dhe kërcënimet. Anëtarët e trupi gjykues kanë paralajmëruar disa herë avokatët se do t’i “nxirrnin jashtë”, ndërsa kërcënimi për përfaqësuesit e organit të prokurorisë ishte se “për këto sjellje do të njoftohet edhe Prokurorja e Përgjithshme”. Nga ana tjetër, avokatët dhe përfaqësuesit e akuzës kanë replikuar disa herë me anëtarët e Kolegjit Penal, duke i cilësuar ndërhyrjet e tyre “të kota”. Situata e krijuar mes njerëzve që “paguhen” për të bërë drejtësi dhe të pandehurve të bandave të Durrësit, duket se u jep këtyre të fundit mundësinë për të kaluar një ditë ndryshe, jashtë rutinës së burgut. Ky proces gjyqësor zhvillohet dy herë në javë dhe megjithëse kanë kaluar më shumë se dy vjet nga fillimi i shqyrtimit gjyqësor ende janë pyetur dëshmitarët e parë.

Në seancën e djeshme, prokuroria thirri për të dëshmuar Nikolla Ongarin, babanë e të ndjerit Eduard Ongari. Ai i tha gjykatës se ka pasur dy djem Lorencin dhe Eduardin (ky i fundit nuk jeton më që nga viti 1999 kur edhe u vra në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit teksa pinte kafe). Djali i është vrarë paraditen e 5 korrikut, ndërsa ai e kishte mësuar këtë vetëm në orën 13.00. Ngjarja e hidhur e ka bërë të vuajë shumë, por ende nuk e kupton arsyen pse ia vranë të birin. Sipas Nikollës, i biri, Eduardi, ishte qëlluar nga dy persona, të cilët ia ka përshkruar saktë nipi i gruas, që ka qenë në të njëjtën tavolinë me djalin ditën e ngjarjes. “Ai ishte vetëm 15 vjeç në atë kohë dhe më tha se personat e qëlluan me një pistoletë pa zë”, vijoi dëshmitari. Babai i viktimës u shpreh se ka qenë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa kohë më pas i kanë thënë se djalin ia ka vrarë Lulzim Berisha. “Djali atë kohë kishte shkuar për kafe me ca shokë të tij. Grupi i Lulzim Berishës e ndiqte nga pas. Ka qenë me një marangoz. Pas disa çastesh kishin shkuar dy veta nga mbrapa, dhe me një pushkë pa zë e qëlluan. Edi u vra në tavolinën që ndodhej në mes të lokalit”, vijoi dëshmitari, duke shtuar se në atë vend ka shkuar bashkë me nipin e gruas, Juljan Kërpuzi, që ka qenë prezent kur ka ndodhur ngjarja. “Kur vajtëm te lokali, Juljani më tregoi tavolinën dhe pozicionet që kishin qenë. Për largimin e autorëve nuk më tha se qe larguar për vete. Juljani më tha se nuk i kishte njohur personat, pasi kishin qenë me kapele me strehë”, deklaroi dëshmitari.

Ai u pyet dhe tha se nuk i njihte shtetasit Erjon Lame, Marsel Sotiri dhe Lazer Hasani. Palët kanë replikuar me njëra-tjetrën për disa detaje nga kjo dëshmi dhe në fund dëshmitari është pyetur se ku i ka mësuar të gjitha këto. Në fillim tha se i ka mësuar nga marangozi dhe nga Juliani dhe më pas tha se ka marrë “zemër” kur këta persona janë arrestuar dhe se për këtë grup kanë shkruar edhe gazetat. Në fund të dëshmisë, gjykata pranoi një kundërshtim dëshmie të bërë nga avokatët dhe lexoi një deklarim të bërë nga Nikolla Ongari shtatë ditë pas vrasjes ku deklaronte se nuk e dinte se kush ia kishte vrarë të birin. Ndërkohë, në seancën e djeshme është pyetur edhe shtetasi Bardhyl Xhakollari, i cili sipas akuzës ka pasur dijeni për vrasjen e Eduard Ongarit. Dëshmitari i ka thënë gjykatës se në momentin e vrasjes ka qenë në lokal, por me shpinë nuk e ka parë ngjarjen.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›