Arrestohet grabitësi i dropullitëve
Burime të Policisë në Gjirokastër bëjnë të ditur se pasditen e së mërkurës është bërë ndalimi i një 44-vjeçari nga ky qytet, i cili akuzohet se në mars të këtij viti ka vjedhur banesën e një banori të fshatit Dhuvjan të Gjirokastrës. Burimet pohojnë se në orën 18:30 të së mërkurës, agjentët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës kanë ndaluar 44-vjeçarin Panajot Rondo, lindur dhe banues në lagjen "Cfakë" të qytetit Gjirokastër, i dënuar dhe më parë për "vjedhje". Ndalimi është bërë pas një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Gjirokastrës, që mban datën 25 mars të këtij viti, pasi atij i është dokumentuar me prova ligjore se është autor i vjedhjes së banesës së shtetasit me inicialet J.B., nga fshati Dhuvjan i Rrethit të Gjirokastrës. Kjo ngjarje ka ndodhur më datën 14 shkurt të këtij viti.