Delijorgji-Balliu "zbret" në Kuvend
Kuvendi u përfshi sërish dje në debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me çështjen "Delijorgji". Shkak janë bërë publikimet e ditëve të fundit në media të disa kontratave ku thuhet se njerëz të afërt të Kryeministrit janë bashkëpronarë në firmat e drejtuara nga Mihal Delijorgji. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu referua deklaratave të para dy javëve të bëra nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i cila i kërkonte opozitës që të pyeste kryetarin Edi Rama për lidhjet e tij me Delijorgjin. Balla gjeti rastin të kërkojë nga Topalli të japë përgjigje për pyetjen e bërë prej saj. Duke iu drejtuar Kryetares së Kuvendit, Topalli, deputeti i PS-së Balla tha se "t‘i ke kërkuar në këtë Parlament zbardhjen e lidhjeve të Delijorgjit me personat e tjerë. Dje, shtypi dhe prokuroria ta kanë lehtësuar punën dhe kanë thënë që këshilltari kryesor i Sali Berishës është njeriu drejtpërdrejt i lidhur me Delijorgjin. Këto dy kontrata themelimi, implikojnë përmes sekserit shqiptar, Balliu, lidhjet e Kryeministrit dhe djalit të tij me çështjen e Gërdecit". Duke insistuar në faktin se Kryeministri Berisha ka lidhje të thella me Delijorgjin, deputeti i PS-së shtoi se "Fahri Balliu, botuesi i gazetës "55", njihet si eminenca gri dhe sekseri i Berishës me Delijorgjin". Sipas Ballës, Fahri Balliu nuk është përfshirë vetëm në aferën e Gërdecit, por edhe në afera të tjera korruptive që kanë të bëjnë me vjedhjen e fondeve në ndërtimin e rrugëve kryesore të vendit. Ndaj ai theksoi se "deputetët duhet të bëjnë thirrje për zbardhjen e çështjes, sepse Balliu është pjesë e rrethit të ndërtuar në vjedhjen e fondeve të rrugës Durrës-Kukës, Fier-Vlorë, dhe Tepelenë-Gjirokastër". Deputeti Balla kërkoi që populli të mos harrojë vitin 1997 e as 15 marsin e vitit 2008, ku Berisha e i biri janë të implikuar drejtpërdrejtë dhe po bëjnë presion që çështja e Gërdecit të mos zbardhet. Dokumentet që zotëronte dhe që janë publikuar edhe në shtyp, Balla kërkoi t‘ia vinte në dispozicion Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ku implikohej Berisha me Balliun, sipas tij, në një lidhje të drejtpërdrejtë për çështjen e Gërdecit. "Bëhu e fortë e prano realitetin, se na i ke kërkuar, merri këto letra e çoji në prokurori", u shpreh Balla. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nuk reshti sërish së akuzuari kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, për lidhjet e tij me Mihal Delijorgjin. "Meqë m‘u drejtove mua, po të jap edhe përgjigjen. Shko e thuaji kryetarit se ka të regjistruara mbi 200 telefonata mes tij e Delijorgjit. Pse i ka dhënë leje ndërtimi Delijorgjit dhe përse nuk ia heq këto leje ndërtimi? Me kë ishte në Kretë Delijorgji dhe kujt ia pagoi qëndrimin. Le të bëhet burrë e të flasë vetë e të mos nxjerrë zëdhënësit e tij", nënvizoi Topalli nga foltorja e Kuvendit. Sipas dokumenteve të botuara në media rezulton se në aktin e themelimit të kompanisë "Trans Digging Construction sh.p.k", ortakë themelues të saj janë Mihal Delijorgji, bashkë me Henris Balliun, vajzën e botuesit Fahri Balliu. Ky fakt në sallën e Kuvendit është përmendur edhe nga deputeti tjetër i PS-së, Marko Bello.