Arrestohet grabitësi i makinave
Një 34-vjeçar është vënë në pranga nën akuzën e vjedhjes. Preja e tij ishin automjetet e parkuara në vende të ndryshme të Tiranës. Pasi i vëzhgonte imtësisht për sende me vlerë brenda tyre, i hapte me mjete të sofistikuara dhe largohej pa u vënë re. Kryesisht, aktiviteti i tij ushtrohej në zonën e Tiranës së Re. Policia e kryeqytetit tha dje se ka vënë në pranga Elton Tahirin. “Kapja e tij u bë pasi në rrugën ‘Petro Nini Luarasi’, ka tentuar të vjedhë kasetofonat e mjeteve ‘Fiat’, me targë TR 3672 K, në pronësi të një shtetasi dhe mjetit tjetër ‘Fiat’, me targë TR 2409 S, në pronësi të një shtetasi”, thanë burimet nga policia. Sipas tyre, nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ka tentuar të kryejë këtë vjedhje në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij. Pas hetimeve, rezultoi se shtetasi Elton Tahiri, dyshohet të jetë edhe autor i vjedhjes së një lap-topi, në mjetin tip “Nissan”. Tashmë hetimet do të ndiqen nga Prokuroria e Tiranës.
Ndërkohë, Komisariati i Policisë Nr. 2 në Tiranë kreu arrestimin në flagrancë të shtetasit E.Gj, 15 vjeç, banues në Laç. I mituri, në rrugën “Besim Imami”, së bashku edhe me një bashkëmoshatarin e tij, i kanë vjedhur një shtetaseje një portofol ku brenda kishte 6 mijë lekë.
Policia e Tiranës ka njoftuar dje se ka arrestuar në flagrancë shtetasin Saimir Kabili, 23 vjeç. Nga një kontroll i imtësishëm të ushtruar në banesë, iu gjet dhe iu bllokua në cilësinë e provës materiale sasia prej 80 gramë lëndësh narkotike heroinë dhe dy aparate celularë. Në pranga ka rënë edhe një i kërkuar, Shkëlqim Manuka, 36 vjeç. Gjykata e Gjirokastrës, me vendim nr.274, datë 26 tetor 2009, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të “Vjedhjes me anë të mashtrimit”.
#