Kapet grupi shqiptar, trafikonte drogë me dy balerina franceze
Një grup i mirorganizuar kriminal është shkatërruar në orët e para të ditës së djeshme në qytetin e Milanos në Itali. Në pranga janë vënë 21 persona, kryesisht shqiptarë, italianë dhe dy balerina franceze. Sipas mediave lokale, dy balerinat franceze të moshës 30 dhe 35 vjeç ishin martuar me tregtarët shqiptarë të drogës, Shpëtim Memolla dhe Robert Hade, të cilët kishin lidhje të forta në Itali dhe Francë. Ato përdoreshin si korriere, pasi merrnin drogën nga qyteti i Metzit në Francë dhe e dërgonin në Milano, Itali. Në operacion janë arrestuar 21 persona dhe është zhvilluar në qytete të ndryshme si në Milano, Treviso, Livorno, Novara dhe Firence. Ndërkohë, pesë persona janë ende të lirë. Policia e Milanos tha dje se verifikimet dhe indikacionet për këtë grup janë marrë që në muajin dhjetor të vitit 2008, por duhej të pritej dita e djeshme për të prerë urdhrat e arrestit.
Sipas të dhënave nga policia italiane, dy gratë, bionde shumë të bukura, kishin bindur burrat e tyre për të shkuar në Milano dhe të trafikonin lëndë narkotike, pasi do të binin më pak në dyshim. Të veshura firmato, ato kanë shkuar në Milano me një tren të shpejtësisë së lartë, me justifikimin “për fundjavë”. Në xhepat e palltove kishin një kilogram kokainë, e cila ishte e përzierë. Sipas të dhënave, kokaina ishte e përzierë me heroinë dhe amfetaminë dhe shitet me 100 euro për gramë. Dozat ishin destinuar për t’u tregtuar në kubet e natës dhe për bankete private. Sipas të dhënave, droga vinte nga Kosova, ndërsa më parë kishte përshkuar rrugën nga Afganistani, në Turqi, Greqi e më pas në Shqipëri.
Policia italiane tha se krerët e kësaj organizate kriminale janë dy shqiptarët Shpëtim Memolla dhe Robert Hade. Sipas të njëjtave burime, arrestimi ndodhi pas një mbrëmjeje vallëzimi në një nga lokalet më të frekuentuara të Milanos, ku të arrestuarit kishin kaluar momente intime.
#