E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet hajduti i argjendarive

27/01/2005  Arrestohet hajduti i argjendarive të kryeqytetit. Astrit Malaj u kap në flagrancë mesnatën e së martës, teksa rrekej të vidhte dyqanin e arturinave "Jola", në rrugën e Durrësit. U dokumentua se i prangosuri ka grabitur dhe argjendarinë në rrugën e Kavajës, në datën 16 janar. Policia shpall në kërkim bashkëpunëtorin e tij, Edmond Neza. Malaj dyshohet se është autor dhe i disa grabitjeve të tjera, të ndodhura gjatë këtyre ditëve në kryeqytet.

Arrestimi

Ora shënonte 24.00. Teksa patrullonin në rrugën e Durrësit, shërbimet e policisë së rendit të Komisariatit nr.3 pikasën lëvizjen e pazakontë të 2 personave pranë një argjendarie. Dyshimet e uniformave u shtuan dhe më tej, kur siluetat tentuan të largoheshin nëpër errësirë, për t'iu shmangur syve të kureshtarëve. Ky fakt bëri që blutë të viheshin në ndjekje të tyre për të verifikuar dyshimet. Dhe nuk ishin gabuar. Policët që zbritën tek argjendaria, verifikuan se dikush kish tentuar të hynte aty, duke përdorur një levë për të hapur murin e prapëm. Kaq u mjaftoi efektivave të rendit, të mendonin se siluetat ishin pikërisht personat që tentuan të vidhnin argjendari "Jola". Nuk qe e vështirë për ta të kapnin në ikje e sipër njërin prej tyre, ndërsa arriti të largohej bashkëpunëtori tjetër. I dyshimti u shoqërua menjëherë në ambientet e Komisariatit nr.3, ku u mor në pyetje. Burime policore saktësojnë se u verifikua që personi quhej Astrit Malaj. Dëshmia e tij fliste për një tentativë të grabitjes së argjendarisë në rrugën e Durrësit. Pak minuta më pas, ai rrëfeu dhe emrin e shokut të tij, Edmond Nezës.

Krimet e tjera

Surpriza e bluve ishte verifikimi i gjurmëve të tij me ato të ngjarjeve të fundit pa autor. Menjëherë u zbulua se ai ishte grabitësi i argjendarisë në rrugën e Kavajës, në datën 16 janar. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjeti me targa DR 0233 D (targa të parregullta), një levë hekuri, doreza, kapuç, 10.000 lekë, një varëse ari e shtrenjtë, dy celularë të markave "Nokia" e "Samsung", të cilat u gjendën në momentin e kapjes në flagrancë dhe nga puna e bërë nga punonjësit e policisë. Si të mos mjaftonte vjedhja e argjendarisë në rrugën e Kavajës, Astrit Malaj dhe Edmond Neza dyshohen dhe si autorë të një sërë veprash të tjera penale. Alma Katragjini bën të ditur se, grabitësit akuzohen se kanë dëmtuar një mjet tip "Benz", me targa TR 0609 G. Paskëtaj, në datën 19 janar, në rrugën "Mihal Grameno", ata kanë vjedhur autoveturën tip "Volksvagen Bora" me targa TR 6929 F. Por krimet e tyre nuk kanë reshtuar me kaq. Së bashku me Naim Salën, i ndaluar më datën 23 janar dhe shtetasin Edmond Frangu, i ndaluar dje, dyshohet se janë autorë të vjedhjes së një dyqani gomash në fushën e Aviacionit. Ngjarja në fjalë për të cilën dyshohen banditët, ka ndodhur në datën 9 dhjetor 2004. Dëmi i shkaktuar nga vjedhja kap shifrën e 2.900.000 lekëve. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi gomash. Policia po punon për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe kapjen e shtetasit në kërkim, Edmond Neza. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›