E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket nëna me 4 fëmijë

27/01/2005  Zhduket një nënë së bashku me 4 fëmijët e saj. Mimoza Susaj është larguar nga banesa e të vëllait në Shkozë, pa lënë asnjë adresë. Ylber Gjoni denoncon në polici humbjen e së motrës dhe vocërrakëve, ku më i madhi prej tyre është 10 vjeç, ndërsa i vogli motak. Komisariati nr.1 e mohon zhdukjen e Mimozës, duke thënë se nuk kanë marrë asnjë denoncim nga Gjoni.

Denoncimi

"Më ka humbur motra së bashku me 4 fëmijët. Ju lutem më ndihmoni t'i gjej. Më i madhi prej tyre është 10 vjeç, kurse i vogli posa ka marrë këmbët", kështu e ka nisur denoncimin e tij në polici, Ylber Gjoni, nga fshati Shkozë i Tiranës. Burime zyrtare nga strukturat e rendit, bëjnë të ditur se 20-vjeçari ka dëshmuar për oficerët e policisë, se e motra quhet Mimoza Susaj dhe është vetëm 27 vjeçe. Sipas tij, ajo ishte në shtëpinë prindërore së bashku me vogëlushët. Për pak orë ajo kishte qëndruar e vetme në shtëpi, pasi të afërmit ishin të zënë me punë. Kur ata ishin kthyer në shtëpi u kishte bërë përshtypje mungesa e saj. E kishin kërkuar nëpër fqinjë, por më kot, as komshinjtë nuk e kishin parë. Kësisoj, pas disa orë kërkimesh, Ylber Gjoni, i vëllai, u drejtua në polici për të denoncuar humbjen. "Nuk është e vërtetë që kemi marrë një denoncim për humbje të një nëne me fëmijët e saj", u shpreh në linjë telefonike për gazetën "Metropol", shefi i Komisariatit nr.1, Idajet Hoxha. Sipas tij, lajmi është i rremë dhe se në territorin që ka nën juridiksion struktura që ai drejton, nuk ka ndodhur asnjë ngjarje e kësaj natyre.

Hetimet

Sakaq, të njëjtat burime saktësojnë se ka nisur puna për të zbuluar vendet ku mund të ketë përfunduar gruaja së bashku me 4 fëmijët e saj. Identiteti i të humburve dhe fotografitë e tyre u janë dërguar të gjitha pikëkalimeve kufitare, për të evidentuar nëse ata tentojnë të largohen jashtë vendit, duke përdorur rrugë zyrtare. Janë ngritur sakaq disa pista për të motivuar largimin e nënës dhe fëmijëve. Ndonëse nuk bëhen të ditura nga burimet, kushtet e jetesës, gjendja civile apo marrëdhëniet e Mimoza Susajt me të afërmit, ka gjasa që ajo ta ketë lënë shtëpinë pas ndonjë sherri familjar. Dëshmitë e të vëllait, Ylber Gjoni, do të hedhin më shumë dritë mbi zbardhjen e kësaj piste. Janë marrë të gjithë adresat e kushërinjve të familjes Gjoni, për të verifikuar nëse mamaja e katër fëmijëve të ketë gjetur strehë ndokund. Por nuk përjashtohet mundësia që Mimoza Susaj dhe vogëlushët të jenë rrëmbyer dhe të mbahen fshehur gjëkundi. Po punohet me intensitet për sqarimin e rrethanave të largimit dhe gjetjen e saj të menjëhershme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›