E Diel, 1 Nëntor 2026

Valbona Mema, në Prokurori nga xhelozia

27/01/2005  Këngëtarja e mirënjohur, ndër më të preferuarit në Shqipëri e muzikës popullore, Valbona Mema, zihet me grushte për motive xhelozie me orkestratin e këngëve të saj Edi Balilin. Ylli i muzikës tiranase ka dhënë një "spektakël" të pazakontë mesditën e së martës pranë stadiumit "Selman Stërmasi". Prokuroria ka nisur çështjen penale në ngarkim të Edi Balilit.

Grindja

Grindja mes çiftit, ka ndodhur në sheshin pranë stadiumit kombëtar "Selman Stërmasi" rreth orës 12.30. Burime nga organi i akuzës, që po merret me hetimin e ngjarjes, shprehen se Valbona Mema ka takuar orkestratin e këngëve të saj, Edi Balilin dhe menjëherë ka nisur zënka e tyre. Këngëtarja pohoi për oficerët e policisë gjyqësore se, 28-vjeçari ishte grindur me të për motive xhelozie. Hetuesit thonë se Mema, pretendon që Balili i ka kërkuar llogari për vendin e ndodhjes, por nuk janë marrë dot vesh në qetësi. Në të tilla kushte, janë bërë protagonistë të një ngjarjeje jo fort të këndëshme. Kalimtarët e rastit janë bërë dëshmitarë të skenes së pazakontë, ku dy bashkëpunëtorët në art, janë goditur me grushte. "Ringu" ka zgjatur mjaft minuta, pasi askush nuk ka guxuar të ndërhyjë, pasi i frikeshin ndonjë reagimi të ashpër nga ana e çiftit të njohur në kryeqytet. Kur vërejtën se po bëheshin gaz i botës, ata e panë të udhës të mos e qëllonin më njëri-tjetrin në publik. Ndaj, ishin ndarë menjëherë, duke u larguar në drejtime të kundërta. Por duket se Valbona Mema, nëna e dy fëmijëve, nuk e ka gëlltitur lehtë turpin që iu bë para udhëtarëve të gjendur përreth. Me t'u qetësuar nga stuhia që përjetoi nga duart e orkestrantit, iu drejtua Prokurorisë së Tiranës. Aty depozitoi kallëzimin e saj në ngarkim të Edi Balilit.

Dëshmia

Duke patur parasysh marrëdhëniet e tyre si dhe faktin që i akuzuari është gjithashtu një muzikant i njohur, Prokuroria vendosi që ai të ndiqej në gjendje të lirë. Të njëjtat burime nga ky organ, saktësuan se orkestranti e ka pranuar fajin, duke pohuar se e kish qëlluar këngëtaren e muzikës popullore. Por, sipas tij, edhe ajo nuk ia ka lënë më mangut. Oficerët e policisë saktësojnë se, Balili ka konfirmuar psenë e historisë që sipas tij kish ndodhur për arsye xhelozie, pasi Valbona kish nisur të mos i thoshte të vërtetën. Muzikanti ka deklaruar publikisht para pak vjetësh se ishte shoku i ngushtë i bashkëshortit të Valbonës Afro 3 vjet më parë, Valbona Mema e humbi babain e dy fëmijëve të saj, Sokol Gjumin, me profesion muzikant, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ndërroi jetë pak ditë pas përfundimit të albumit të parë të së shoqes. Pak muaj para se të vdiste, Gjumi, Mema dhe Balili u paraqitën në një debutim te "Kënga Magjike", ku patën shumë sukses. Pjesa më e madhe e krijimitarisë muzikore të Valbona Memës mban firmën e orkestruesit që e goditi me grushte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›