Arrestohet i arratisuri nga Komisariati i Kavajës
Arrestohet i arratisuri nga Komisariati i Kavajës, i cili është gjetur i fshehur në një banesë në rrethinat e Durrësit. Policia e Tiranës deklaroi dje në mëngjes se gjatë orëve të vona të natës, shërbimet e Komisariatit të Kavajës, në bashkëpunim me Komisariatin e Durrësit, arritën të kapin Edmond Piraniqin, 30 vjeç, lindur e banues në Kavajë, i cili u largua nga ambientet e izolimit gjatë mesditës së dy ditëve më parë. Ky person ishte shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Kavajës sepse ishte i dyshuar dhe i shpallur në kërkim policor që më datë 3 mars 2009, për konsumim të veprës penale të "kanosjes". Në këto kushte, uniformat blu janë urdhëruar që ta shoqërojnë me kusht që të merret në pyetje mbi këtë ngjarje. Ai është dërguar në ambientet e dhomës së shoqërimeve në Komisariatin e Kavajës, ku është lënë për disa orë pa u kontaktuar nga asnjë oficer policie. Nga dëshmitë e mbledhura ka rezultuar se ai ka kërkuar edhe shpjegime pse po mbahej pa u marrë në pyetje. Por në orët e para të mëngjesit ka ndodhur skandali. Kur oficeri i policisë roje ka kontrolluar në dhomën e shoqërimeve, ka vënë re se 30-vjeçari nuk ndodhej më aty. Kjo ka bërë që të jepet alarmi dhe menjëherë është rrethuar e gjithë zona, por nuk kanë mundur të gjejnë të arratisurin. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e tij dhe në banesa të miqve të tij, por pa rezultat. Ndërsa në mesnatë është kapur i fshehur në një banesë në rrethinat e Durrësit, duke u shoqëruar sërish për në Komisariatin e Kavajës.