E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset, kanosi me thikë taksistin

Kërcënon me thikë taksistin, sepse nuk bie dakord për çmimin e vendosur prej tij dhe përfundon në pranga. Policia e Gjirokastrës ka prangosur Bujar Qazim Hysenin, pasi ka kanosur me thikë shoferin S. Th, banues në qytetin e Gjirokastrës. Burimet nga policia bëjnë të ditura se 35-vjeçari nga Memaliaj kishte faturuar një taksi me targa GJ 190 A, për të shkuar në fshatin Erind, të Komunës Lunxhëri. Shoferi e ka pritur derisa Hyseni ka mbaruar punë dhe më pas janë kthyer sërish për në Gjirokastër. Por gjatë kthimit, pasagjeri dhe shoferi janë grindur për vlerën e shërbimit taksi. Në vendin e quajtur fshati Valare, disa metra pa hyrë në fshat, i arrestuari pasi ka shkëmbyer replika me taksistin, ka nxjerrë një thikën dhe duke e kërcënuar se do t‘i priste fytin ka tentuar t‘i vjedhë makinën. Drejtuesi i mjetit ka mundur të dalë nga makina, pa u lënduar, duke arritur të marrë edhe çelësat e makinës me vete. Sapo është ndierë i sigurt, taksisti ka lajmëruar policinë, e cila është nisur menjëherë për në vendngjarje. Uniformat blu të Gjirokastrës bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e 35-vjeçarit Hyseni. Në momentin e arrestimit është bllokuar dhe sekuestruar thika me të cilën Hyseni ka kërcënuar shoferin e taksisë, në cilësinë e provës materiale. Mësohet se Bujar Hyseni ka qenë i dënuar dhe më parë, për plagosjen e një komshiu, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1990. Ndaj tij ka nisur procedimi penal, për akuzën e kërcënimit dhe tentativës për vjedhje me dhunë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›