E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet i dënuari me 15 vjet burg

 ITALI - Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli është arrestuar mbrëmjen e të mërkurës në Itali. Sipas një njoftimi për shtyp nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Tiranë mësohet se është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, 38-vjeçari Riza Vatoci, nga Tropoja. Arrestimi i të kërkuarit shqiptar është arritur falë bashkëpunimit të Interpol-Tiranës dhe Interpol-Romës. Sipas policisë Vatoci është dënuar në mungesë nga Gjykata e Krujës me 15 vjet heqje lirie, më 26 mars të vitit 1998. Prej asaj kohë ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, për t'u arrestuar në Itali mbrëmjen e 6 janarin. Për më shumë se 11 vjet, Riza Vatoci kishte arritur t'u shpëtonte prangave të policisë. Ai akuzohet se në vitin 1997 ka tentuar të vrasë një person në Fushë-Krujë, pas një zënke të momentit dhe pasi e ka plagosur rëndë është larguar nga vendi i ngjarjes. Dhjetëra dëshmitarë që kishin parë ngjarjen dhanë deklarimet në polici, duke bërë që bashkë me provat dhe dëshminë e të plagosurit, Gjykata e Krujës ta shpallte fajtor Vatocin dhe ta dënonte me 15 vjet burg. Por gjatë kohës që policia dhe prokuroria hetonin ngjarjen 38-vjeçari nga Tropoja kishte arritur që të kalonte kufirin shqiptar, duke shkuar fillimisht në Greqi, ku sipas policisë ka qëndruar disa vite e më pas ka shkuar në Itali, ku ka jetuar vitet e fundit. Burime nga policia thanë se në momentin e arrestimit Vatoci është prezantuar me një emër tjetër, por verifikimi i gjurmëve të gishtave ka zbuluar identitetin e vërtetë të tij dhe ka rezultuar që ishte person në kërkim.           e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›