E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koman, RENEA arreston Biberin në furgon, i kërkuar për vrasje

 TIRANE - Forcat Speciale të repartit RENEA arrestuan dje në orët e mëngjesit të kërkuarin Ylli Biberi, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Artan Allushit, më 26 korrik 2009 tek Dogana në kryeqytet. Pas 19 operacioneve të dështuara për arrestimin e tij në pesë, aksioni i djeshëm i RENEA-s i'a ka arritur qëllimit, falë edhe informacioneve të sakta të dhëna nga policia e Burrelit, për vendndodhjen dhe destinacionin e të kërkuarit. Burime nga policia thanë se 27-vjeçari Biberi është ndaluar në momentin që po zbriste nga një furgon i Burrelit për të hipur në një tjetër automjet që vinte nga Tirana për të shkuar në Koman. Sipas policisë, për Ylli Biberin Gjykata e Tiranës ka vendosur në mungesë masën e sigurisë "arrest në burg", duke e akuzuar për veprat penale të "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje". Policia tha se Biberi në bashkëpunim me Bashkim Qefalinë, tashmë i arrestuar, me ndihmën e Isa Lushës, i cili u la i lirë nga gjykata disa ditë pas arrestimit, akuzohen se kanë vrarë Artan Allushin dhe kanë plagosur xhaxhain e tij Kujtim Allushin dhe djalin e tij Nertilin. Policia informoi se Ylli Biberi ishte në ndjekje prej 5 muajsh dhe arrestimi i tij erdhi falë bashkëpunimit të Policisë së Tiranës me atë të Burrelit, gjatë tentativës së të kërkuarit për të udhëtuar drejt Tropojës. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, RENEA në bashkëpunim me oficerët e Hetimit të Krimeve të Policisë së Tiranës zhvilluan operacionin e koduar "Komani", i cili u finalizua me arrestimin e Ylli Biberit, i kërkuar për vrasje. Burime nga policia thanë se dy ditë më parë është marrë informacioni se i kërkuari do të lëvizte nga Burreli, në drejtim të Vaut të Dejës me një furgon me targa të Matit. Aty do ta priste një tjetër furgon që vinte nga Tirana, me të cilin do të shkonte në Koman për të lëvizur më pas me traget në drejtim të Tropojës. Pasi u siguruan të dhënat e sakta për mjetin që do të nisej nga kryeqyteti në destinacionin ku e priste i kërkuari, trupat speciale të RENEA-s dhe oficerë të Hetimit të Krimeve, realizuan ndjekjen e mjetit deri në Vaun e Dejës në Shkodër. Në gatishmëri për të ndërhyrë me qëllim arrestimin e Ylli Biberit, forcat e policisë kanë qëndruar në pozicione të ndryshme për të mbajtur në vëzhgim edhe furgonin që po vinte nga Burreli, nga do të zbriste i kërkuari. Momenti i ndërrimit të automjeteve ka qenë i përshtatshëm për ndërhyrjen e policisë. Sapo Biberi ka hipur në furgonin e Tiranës që do ta dërgonte në Koman, forcat RENEA e kanë rrethuar atë duke arrestuar më pas të kërkuarin i cili nuk ka bërë rezistencë. Nën masa të forta sigurie Biberi është transportuar drejt kryeqytetit ndërsa nesër pritet të njihet me masën e sigurisë në gjykatë.                            e.d.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›