E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtari i Vlorës ryshfet me pronat

 Armand BajramiKëshilli i Lartë i Drejtësisë autorizoi dje Prokurorinë të fillojë hetimin ndaj një gjyqtari të akuzuar për "korrupsion pasiv". Dyshimi se gjyqtari ka përvetësuar një sasi parash në formën e ryshfetit bindi KLD-në ti heqë imunitetin gjyqtarit të Vlorës Thoma Nika. Vendimi që i hapi rrugë organit të akuzës të procedojë penalisht gjyqtarin Thoma Nika, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, u votua dje në një mbledhje urgjentë të KLD-së, i pari takim i këtij institucioni për vitin 2010. Lejimi i procedimit penal të gjyqtarit erdhi menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme e cila dorëzoi në KLD dosjen në emër të prokurorisë së Fierit e cila po heton çështjen. Gjithashtu, Këshilli urdhëroi pezullimin e gjyqtarit nga detyra si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës deri në përfundim të hetimeve ndaj tij. Burime pranë KLD-së bënë të ditur se në orët e para të ditës së djeshme pranë këtij institucioni kishte mbërritur një kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të gjyqtarit Thoma Nika. Kërkesa është marrë në shqyrtim në një mbledhje urgjente të Këshillit, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura për median. "Ky vendim i Këshillit, i marrë me unanimitet të anëtarëve të pranishëm, i hap rrugën  kryerjes së hetimeve nga prokuroria e rrethit gjyqësor Fier, e cila i ka atribuuar gjyqtarit në regjistrin e veprave penale akuzën e 'korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë'", pohuan dje burime zyrtare të KLD-së. Burime të rezervuara pranë organit të akuzës bënë të ditur se gjyqtari Nika dyshohet se ka marrë një shumë të ofruar nga pala fituese në një gjyq pronësie, pak kohë më parë. Denoncimi ndaj gjyqtarit mësohet të jetë bërë në prokurorinë e Fierit. Pasi për gjyqtarin është provuar marrja e ryshfetit në hetimet paraprake të prokurorëve të Task Forcës në prokurorinë e Fierit, dosja në ngarkim të tij është dërguar në Prokurori të Përgjithshme. Kjo për faktin se gjyqtari ishte person me imunitet. Gjyqtari Nika është shkarkuar nga KLD rreth 4 vjet më parë, ndërsa u rikthye në detyrë 2 vjet pas shkarkimit, në bazë të një vendimi të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, që vlerësoi vendimin e KLD-së si të padrejtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›