Kosova kritikon Tadiçin: Shkeli kushtin e vizitës
Presidenca e Kosovës ka kritikuar dje presidentin serb, Boris Tadiç, duke e akuzuar atë se ka shkelur premtimin për të kryer vetëm një vizitë me karakter fetar, pasi mesazhet e tij kishin ngjyra të forta politike kunder pavarësisë së Kosovës. Opozita në Kosovë e ka shfrytëzuar rastin për të fajësuar institucionet e vendit që lejuan presidentin serb të vizitonte vendin. Nga opozita, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se nuk mund të pritet nga një president i një shteti të mos bëjë deklarata politike. "Presidenti i Serbisë nuk është patriark, ai është president, politikan i zgjedhur me vota të popullit në Serbi dhe ai nuk mund të ketë vizitë vetëm fetare në Kosovë. është një palaçollëk politik i institucioneve të Kosovës", akuzoi ai. Por sulmet nga opozita nuk janë të vetmet sfida me të cilat do të përballet qeveria e Kosovës. Gjërat nuk parashikohen të thjeshta për këtë fillim viti, pasi Kina, mbështetëse e "Kauzës" serbe, ka vendosur ta rikthejë çështjen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Një seancë për Kosovën është planifikuar në Këshillin më të lartë të Kombeve të Bashkuara më 22 janar. Kina ka presidencën e radhës së KS-së për muajin janar dhe përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Xhang Jeshua tha se "Kosova mbetet çështje e rëndësishme për Këshillin e Sigurimit". 22 janari është dita ku do të shqyrtohet edhe raporti i kreut të misionit të KB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, (UNMIK). Ndërsa Kosova rendit arritjet si shtet i pavarur, Serbia e përdor këtë mbledhje të KS si tribunë për t'u bërë thirrje vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën të mos e marrin këtë hap. Ndërkohë presidenti Tadiç ka përfunduar vizitën e tij në Kosovë, në Manastirin e Deçanit, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Zyrtarë të Presidencës së Kosovës thonë se presidenti serb e shkeli kushtin për të mos dhënë deklarata politike, por vetëm të karakterit fetar, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. I pyetur nëse e sheh integrimin e Kosovës në BE si shtet të vetëm apo bashkë me Serbinë, Tadiç ka thënë se "nuk do të doja të shihja vetëm Serbinë, që do të thotë dhe Kosovën, në BE, por gjithë vendet e rajonit". Kjo deklaratë, sipas zëdhënësit të presidentit Sejdiu, Xhavit Beqiri, tregon se Beogradi nuk heq dorë nga qasja e vjetër destruktive ndaj Kosovës. "Edhe në deklaratat e djeshme, presidenti Tadiç, sado që mundohej që këtë herë të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se dje, ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur. Natyrisht që synimi i popullit dhe institucioneve të Kosovës është integrimi sa më i shpejtë në BE, në NATO dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, por gjithsesi jo bashkë me Serbinë, por veçmas, secili më vete", tha Beqiri. Ai shtoi se "Në një mënyrë, presidenti Tadiq po ia ngushton vetes hapjen e rrugëve te tjera në Kosovë. është vetë fajtor, që në njëfarë mënyre, po i ngushton udhët e bashkëpunimit dhe të lëvizjes së ndërsjellë", thekson Beqiri. Autoritetet që kanë bërë përcjelljen e Tadiçit në Kosovë, kanë qenë tejet të rezervuar në dhënien e informatave mbi agjendën. Tadiç është transportuar nga Manastiri i Deçanit me helikopter të KFOR-it, forcë kjo, që edhe ka qenë përgjegjëse për përcjelljen e tij.