E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i dyshuari për bombën në “Times Square”



Policia amerikane ka arrestuar shtetasin Faisal Shahzad, pasi dyshohet se është personi që ka tentuar të shpërthejë makinën bombë në sheshin “Times Square” në Nju Jork ditën e shtunë.
Lajmi është bërë i ditur nga prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, i cili ka saktësuar se personi në fjalë quhet Faisal Shahzad, një shtetas amerikan me origjinë pakistaneze. Shahzad, gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se sulmin e ka ndërmarrë i vetëm. Ndërkohë autoritetet pakistaneze kanë arrestuar një tjetër person në Karaçi dhe janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë për zbardhjen e ngjarjes. “Drejtësia do të vihet në vend”, kështu është shprehur presidenti i SHBA-ve, Barak Obama lidhur me incidentin në “Times Square”. Ai tha se po kryhen hetime për të zbuluar nëse atentatori kishte lidhje me grupet terroriste. Sipas presidentit Obama, populli nuk duhet të frikësohet nga pasojat që mund të ketë kjo ngjarje. “Do të bëjmë ç’është e mundur për të mbrojtur popullin amerikan, pasi armiqtë e SHBA-ve nuk ndalen para asnjë gjëje, vetëm për të shkatërruar jetët tona”, u shpreh presidenti Obama. Shahzad u arrestua në aeroportin “JF Kennedy”, në përpjekje për të fluturuar për në Dubai. Kryeprokurori amerikan Holder ka shtuar se në ngjarje ka të përfshirë edhe persona të tjerë. “Dhe ne nuk do të gjejmë paqe derisa t’i nxjerrim të gjithë para drejtësisë”, ka shtuar Holder.
Makina me bombë u vendos ditën e shtunë në “Times Square” dhe u zbulua nga një shitës ambulant që lajmëroi policinë, e cila më pas çaktivizoi eksplozivin.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›