Universitetet publike, bie kërkesa,në garë 28 mijë maturantë
Rreth 28 mijë maturantë do të konkurrojnë këtë vit në universitetet publike. Nga sa bën me dije Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve, pas mbledhjes së të dhënave të grumbulluara nga plotësimi i dy formularëve A-1 dhe A-1Z, rezulton se ky është numri përfundimtar në rang vendi. Krahasuar me vitin e shkuar, numri është më i ulët. Siç duket, një pjesë e mirë e kandidatëve të këtij viti ose largohen jashtë vendit, ose duan të aplikojnë në një universitet privat. Në këto lista përfshihen edhe kandidatët që kanë mbaruar shkollën e mesme para 2010-s, por që nuk figurojnë të regjistruar në asnjë nga shkollat e larta. Pavarësisht rritjes së kërkesës për studime të larta, edhe këtë vit kuotat e pranimeve do të jenë të kufizuara, përballë fluksit të regjistruar. Shkak për këtë bëhet mungesa e ambienteve dhe e pedagogëve të vetë institucioneve publike, për të pritur një numër më të lartë studentësh. Ndonëse kuotat nuk janë miratuar zyrtarisht për të gjitha universitetet, pohohet se më shumë se gjysma e kandidatëve do të kenë mundësinë të sistemohen në fakultetet përkatëse. Pjesa më e madhe do të sistemohet pranë Universitetit të Tiranës, për të cilin janë propozuar si vende pranimi rreth 7 mijë kuota të shpërndara sipas degëve. Sa i përket provimeve, MASH ka bërë me dije se do të jenë shtatë teza të ndryshme, sipas profilit të shkollave me tri nivele vështirësie. Të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, pra që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të maturës. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim, sa për të mos mbetur në klasë. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë, do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40 për qind të pikëve, ata të nivelit të dytë 80 për qind dhe maturantët e nivelit të parë, 100 për qind të pikëve, pra pikët maksimale. Testi i provimeve të maturës, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje. Prej tyre, 13 me përgjigje alternative, ku nxënësi do të grumbullojë 13 pikë dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse u përgjigjet saktë këtyre të fundit, do të marrë 37 pikë. Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar.