E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiri vullkanik, Irlanda bllokon qiellin, rrezik për gjithë verën



Aeroportet e Irlandës së Veriut, ditën e djeshme kanë pezulluar fluturimet për disa orë, si pasojë e hirit vullkanit të shkaktuar nga vullkani në Islandë. Autoriteti i Aviacionit irlandez (IAA) lejoi fluturimet nga aeroportet e Islandës në orën 12:00, pas mbylljes së tyre në orën 06:00 Gmt (nga ora 08:00 deri në orën 14:00). Në pjesën tjetër të Britanisë trafiku ajror ka vijuar normalisht, ndërkohë që e mbyllur mbeti edhe hapësira ajrore e Skocisë, duke prekur kështu shumë aeroporte të vendit. Përqendrimi i përllogaritur i hirit vullkanik në hapësirën irlandeze është shumë i lartë, bëri të ditur një zëdhënës i autoritetit irlandez të sigurisë së fluturimit. Në njoftim thuhet se nga ky ndalim nuk janë prekur fluturimet nga Britania e Madhe dhe Europa kontinentale. Një re e madhe hiri ka lëvizur drejt jugut nga i njëjti vullkan i Islandës, që në muajin prill çoroditi udhëtimet ajrore në të gjithë Europën, kur fluturimet u ndalën për të paktën 6 ditë. Në gjithë ato ditë ekzistonte frika se hiri mund të prishte motorët e avionit. Para dy javësh për shkak të hirit vullkanik nga aktivizimi i vullkanit “Eyjafjoll” në Islandë u bllokua gati e gjithë hapësira europiane e fluturimit. Gjatë këtyre ditëve u anuluan më shumë se njëqind mijë fluturime dhe më shumë se tetë milion pasagjerë mbetën të bllokuar. Komisioni i BE-së ka bërë një përllogaritje të dëmeve që kanë pësuar kompanitë ajrore, duke i vlerësuar ato me 1,5-2,5 miliardë euro.
Rrezik për bllokime edhe gjatë verës
“IAA” bëri të ditur se gjendja jo e mirë në Irlandë mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim, madje bllokim të fluturimeve mund të ketë edhe gjatë gjithë periudhës së verës, si pasojë e erërave nga veriu. “Ne mund të përballeni me këtë mënyrë situatë edhe gjatë periudhës së verës”, tha shefi ekzekutiv i “IAA”, Eamon Brenan. “jemi të pasigurt për fluturimet në ditët që vijnë, pasi era po lëviz në drejtim të veriut”. Rreth 200 fluturime pritet të jetë numri i fluturimeve të pezulluara në një ditë të zakonshme, në Irlandë dhe vendet e tjera, duke marrë parasysh 28.000 fluturime gjithsej në gjithë Europën. Dy ditë më parë, Irlanda lajmëroi një ribllokim të hapësirës ajrore, si pasojë e hirit vullkanik, që provokoi fluturimet në Europë dy javë më parë. Autoritetet sqaruan se në ditët e ardhshme situata do të monitorohet me kujdes sepse sipas parashikimeve erërat do të vazhdojnë të transportojnë hirin vullkanik.

Sekreti bërthamor
Pentagoni pranon: SHBA-të kanë 5,113 koka bërthamore

Shtetet e Bashkuara, për herë të parë kanë bërë të ditur zyrtarisht sasinë e arsenalit bërthamor, duke thënë se kanë gjithsej 5,113 koka bërthamore, qoftë operacionale, në rezervë aktive apo në stoqe. Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Mbrojtjes, arsenali bërthamor i Shteteve të Bashkuara është reduktuar në 84 për qind nga niveli maksimal i 31,225 kokave bërthamore që ishte në vitin 1967, gjatë Luftës së Ftohtë dhe 75 për qind nga fundi i vitit 1989 kur ra Muri i Berlinit. Më herët, SHBA-të, shifra të tilla i mbanin sekret.

Indi
Prokurorët kërkojnë varjen e atentatorit të Mumbait

Atentatori i vetëm që mbijetoi pas sulmeve në qytetin indian të Mumbait në vitin 2008 duhet të varet. Ka qenë kjo kërkesa e prokurorëve gjatë procesit që po zhvillohet në Indi. “Do të ishte një tallje për drejtësinë nëse nuk vendoset dënimi me vdekje”, deklaroi prokurori Ujual Nikam. Mohamad Ajmal Amir Qasab, një 22 vjeçar nga Pakistani, u shpall fajtor dy ditë më parë për një varg akuzash, mes të cilave vrasje, thirrje për luftë dhe mbajtje të eksplozivit. Nga sulmi i dy viteve më parë mbetën të vdekur 174 persona, përfshirë 9 atentatorët e tjerë.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›