E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerr në Lezhë, vritet burri, gruaja vret veten

Gjon Përvathi është vrarë nga fqinji i tij pas një konflikti të vjetër. Gruaja u vetëhelmua me fostoksinë kur mësoi lajmin


LEZHË- Një ngjarje tragjike ka tronditur dje në Lezhë ku një 40-vjeçar është vrarë me pistoletë, bashkëshortja e tij ka vrarë veten dhe djali është përplasur nga makina e autorit të vrasjes. Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Manati. Gjon Përvathi është ekzekutuar me pistoletë nga fqinji i tij Ndue Lekgjonaj.
Vrasja
Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se gjithçka ka ndodhur rreth orës 15.00 kur Përvathi, së bashku me djalin 14-vjeçar dhe një kushëri, ndodheshin në rrugën dytësore që lidh Lezhën me Laçin dhe sipas dëshmitarëve ishte duke shkuar në shtëpi. Në këtë moment ai ka hasur në një pritë të vënë nga ana e bashkëfshatarit me të cilin kishte dhe konflikt pronësie. Plumbat kanë shembur përdhe 40-vjeçarin ndërsa kanë plagosur edhe kushëririn e tij Gjergj Përvathi. Autori i krimit ka hipur në makinë dhe ka tentuar që të largohet. Në këtë moment atij i ka dalë përpara djali 14-vjeçar të viktimës, por Lekgjonaj nuk ka ndaluar. Ai ka vazhduar arratinë me makinë duke përplasur djalin e vogël dhe më pas është zhdukur pa lënë gjurmë. Policia është vënë në ndjekje të tij por edhe pse janë ngritur postblloqe të shumtë, deri dje në mesnatë ai nuk është kapur.
Vetëvrasja
Bashkëshortja e viktimës ka mësuar gjithçka që kishte ndodhur vetëm pak minuta më pas. Ajo ka rënë në gjendje depresioni dhe teksa ndodhej me të motrën në shtëpi ka vendosur që të vrasë veten. Familjarët thanë se ajo ka pirë disa kokrra fostoksinë dhe menjëherë ka dhënë shenjat e para të helmimit. Të afërmit e kanë dërguar në spitalin e Lezhës por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Martine Përvathi është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Mjekët janë përpjekur që ta sjellin në jetë gruan por pa rezultat. Ajo ka ndërruar jetë rreth orës 19.00 të ditës së djeshme në Tiranë. Çifti Përvathi kishte katër fëmijë, të cilët tashmë kanë mbetur jetimë.
Motivi
Burimet e policisë së Lezhës pohuan se motivi i krimit është një konflikt i vjetër mes Përvathit dhe Lekgjonajt. Në atë kohë Përvathi kishte vrarë bagëtinë e fqinjit të tij sepse ajo kishte hyrë në arën e tij. Kjo gjë nuk i është falur nga Lekgjonaj por në konflikt e sipër Përvathi e kishte goditur atë. Situata ishte përkeqësuar dhe ishte dashur ndërhyrja e policisë së Lezhës për të kryer arrestimin e Përvathit. Ky i fundit u mbyll në banesë dhe nuk lejonte policinë që të afrohej. Tensionimi i situatës ka bërë që të nisen forca speciale nga Tirana për të kryer arrestimin e tij. Pas më shumë se dy orësh rrethim dhe negociata, forcat speciale kanë arrestuar Gjon Përvathin. Ai u dënua nga gjykata me dy vjet burg dhe dënimi i ka mbaruar vetëm dy muaj më parë. Por rikthimi i Përvathit në fshat ka tensionuar sërish marrëdhëniet mes dy familjeve deri sa ngjarja ka përfunduar me dy të vdekur dhe katër fëmijë jetimë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›