Arrestohet i dyshuari për vrasjen e policit

Kanë nisur në orën 13:00 homazhet ne nderim të punonjësit të policisë, inspektorit Selman Lena, i cili u vra të shtunën, pasi postblloku i policisë u godit nga një veturë. Pas homazheve kolegë, miq dhe të afërm i dhanë lamtumirën e fundit inspektorit Lena.
Si raporton gazeta Panorama, polici tjetër, Preng Lleshi është në gjendje kritike për jetën, dhe 24 orët e ardhshme janë vendimtare për të.
Mëngjesin e së dielës, policia njoftoi se ka arrestuar shtetasin Edmir Islam Koleci, 37 vjeç, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e efektivit të policisë dhe plagosjen e tjetrit. Automjeti tip ‘BMV X5’ drejtohej nga Edmir Koleci, i cili ka lindur në Krumë dhe banues në Laknas, i proceduar për vepra të ndryshme penale.
“Në sajë të një pune të shpejtë hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarje, gjetja e automjetit dhe kapja e autorit në afërsi të ‘Katër Rrugëve të Shijakut’ Durrës”, thuhet në deklaratën e policisë./Indeksonline/