Arrestohet i kërkuari, anëtar në dy grupe droge
Antidroga e kryeqytetit vë në pranga dy shpërndarës kokaine dhe heroine, ku njëri prej tyre mendohet se ka qenë bashkëpunëtor në drejtimin e dy grupeve të shkatërruara disa muaj më parë. Sipas policisë, Romeo Tufa, vetëm 17 vjeç, mendohet se ka qenë i lidhur me dy grupe shpërndarësish. Nga të dhënat hetimore mësohet se ndalimi i Tufës është bërë në zbatim të Urdhrit të Prokurorit, pasi në kuadër të hetimeve ka qenë i lidhur me një grup, i cili është shkatërruar me datë 6 tetor të vitit të kaluar, ku u arrestuan Endris Jonuzi dhe Afrim Picari. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se ai ka qenë i lidhur edhe me një tjetër grup të shkatërruar më 10 nëntor po të vitit 2008, ku janë prangosur Daniel Qemali, Ilir Dajti, Ilir Toto, Algert Shehu, Jetnor Ademi dhe Erion Todri. Në lidhje me grupin e parë, policia shpjegoi se arrestimi i Picarit u bë, pasi Endris Jonuzi kishte deklaruar se blinte drogë prej tij. Ky i fundit ishte kapur duke udhëtuar me automjetin tip "Audi", me targë TR 3344 A dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar i është gjetur një sasi prej 0.6 gramësh heroinë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Jonuzi e kishte blerë lëndën narkotike te Picari. Në këto kushte, antidroga ka ushtruar kontroll në banesën e Picarit, ku u gjet një sasi prej 5.2 gramësh heroinë. Gjithashtu, gjatë arrestimit, policia i gjeti 29-vjeçarit edhe një pistoletë "Zastava". Ndërsa grupi tjetër u shkatërrua në nëntor, ku mendohet se Ilir Dajti kishte marrë drejtimin e rrjetit të heroinës pas arrestimit të kushëririt në operacionin "Bardhë e zi", i realizuar më 23 korrik të vitit 2008. Arrestimi i 24-vjeçarit Dajti mësohet të jetë realizuar në Allias, së bashku me 23-vjeçarin Daniel Qemali, Jetnor Ademi, 23 vjeç dhe Ivzi Tota, 23. Ndërkohë, dy studentët lushnjarë që studionin për Gjeologji Minierash, Erion Todri, 25 vjeç dhe 21-vjeçari Algert Shehu, u vunë në pranga në Rrugën e Kavajës. Ata u kapën në flagrancë me 41.6 gramë heroinë, 1.6 gramë hashash dhe 1.4 gramë metadon, sasi këto të sekuestruara në cilësinë e provës materiale. Ndërkaq, policia tha se gjatë një tjetër operacioni të realizuar ka arrestuar edhe Fatmir Daiun, 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "5 Maji". Arrestimi i tij u bë, pasi në orën 23.30 është kapur nga shërbimet e Komisariatit Kavajë, te Mali i Robit, duke udhëtuar me automjetin tip "Benz 250", ngjyrë e verdhë, me targa EL 454 A, i cili udhëtonte me shtetasin Dervish A., ku gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjetën 9 gramë heroinë. Gjithashtu, iu gjetën dhe 10 doza me kokainë.