Kongresi "rrëzon" 3 drejtorë
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA
Incidenti i ndodhur në sallën e teatrit "Vaçe Zela" me rastin e 89-vjetorit të Kongresit të Lushnjës "rrëzoi" tre drejtorë. Drejtori i Kulturës në Bashki, Alfred Dhamo, Drejtori i Muzeut të Lushnjës, Shaqir Greca dhe Drejtori i Teatrit, Arjan Hasanlliu, u shkarkuan dje nga detyra. Penalizmi i tyre u krye pas një urdhri të nxjerrë nga Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Albert Sanxhaku. Krerët e tre institucioneve kulturore u vunë në dijeni për urdhrin e nxjerrë ndërsa pritet të bëhet edhe zëvendësimi i tyre. Incidenti që shkaktoi reagime ndodhi në ditën përmbyllëse të ceremonisë festive në përkujtim të 89-vjetorit të Kongresit të Lushnjës. Në projektorin e sallës së teatrit, ndodhi edhe gafa për të cilët tre drejtorët u hoqën nga puna. Të pranishmit ishin vënë në dijeni të transmetimit të një dokumentari historik për kongresin dhe njerëzit që ndihmuan në themelimin e saj. Por në vend të dokumentarit që do të prezantonte punën e lavdishme të atdhetarëve dhe rëndësinë e kongresit të Lushnjes, u shfaqën pamjet e një dasme. Situata bëri konfuzë fillimisht të pranishmit, të cilët nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Me sa duket, organizatorët e kësaj feste kishin ngatërruar "shiritat" dhe në vend të dokumentarit ishte vënë një kasetë e një dasme. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta që të pranishmit në sallë të shfaqnin zemërimin e indinjatën e tyre për një organizim të tillë duke u larguar nga salla. Ata e cilësuan një incident të tillë si një turp për organizatorët dhe fyerje për ta. Një pjesë e mirë e të pranishmëve ishin familjarët e patriotëve të shquar lushnjarë, që ndihmuan në themelimin e Kongresit. Në fakt, në përvjetorin e 89-të të kongresit të Lushnjës u vu re mungesa e krerëve të shtetit. I pranishëm ishte vetëm zëvendësministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve, Eqrem Spahiu, i cili gjithsesi erdhi edhe me vonesë. Në këtë ceremoni u vu re mungesa e vetë deputetëve lushnjarë. I vetmi që përshëndeti të pranishmit në sallë, kryesisht nxënës të shkollave të mesme, si dhe përfaqësues të familjeve atdhetare, ishte përgjegjësi i muzeut, Shaqir Greca, i cili dje mori lajmin e shkarkimit nga kjo detyrë bashkë me dy drejtorë të tjerë të institucioneve kulturore.