E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot nis diskutimi për Metodikën e pronave

11/04/2005  Komiteti Shtetëror do të japë sqarime në komisionin e Bujqësisë

Komisioni Parlamentar i Bujqësisë, do të nisë sot diskutimin mbi metodikën e kthimit dhe të kompensimit të pronave. Sipas programit të përcaktuar një javë më parë, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do t'u shpjegojë deputetëve, formulat e parashikuara për vendosjen e çmimit të tokës, në procesin e kompensimit. Gjithashtu, një tjetër pikë e debatueshme do të jetë dhe llogaritja e një fature financiare, për kompensimin e pronarëve. Kjo pikë pritet të jetë dhe më e debatueshmja, pasi deputetë të PS-së në komisionin e Bujqësisë, kanë theksuar se formulat e dhëna parashikojnë çmime të larta për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndaj dhe ata kanë paralajmëruar për ndryshime. Nga ana tjetër, demokratët kanë theksuar se nuk është e drejtë që për vendosjen e çmimit të tokës, të vendosen formula, pasi për këtë pikë është tregu që vendos. Ky debat duket se ka detyruar komitetin e Pronave të sqarojë deputetët mbi Metodikën e paraqitur në Kuvend. Nga ana tjetër, këtë javë pritet që komisioni i Ekonomisë të miratojë përfundimisht metodikën, e cila është duke u përgatitur në formën e një projektligji. Ky komision ka dhënë votën pro në parim të Metodikës, duke paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të formulave të dhëna. Një veprim i tillë pritet që të ketë ndikim dhe në komisionin e Bujqësisë, duke zbutur debatet e zhvilluara në të. Megjithatë, pritet që në datën 21 prill drafti të kalojë për votim në seancën parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›