Arrestohet i riu me 20.6 kg lëndë narkotike
VLORE - Policia e Vlorës arrestoi dje një të ri pasi u kap në flagrancë me 20.6 kilogramë lëndë narkotike. Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Larushi”, 24-vjeçari Ervis Malaj është prangosur në afërsi të kryqëzimit të fshatit të tij, Trevllazër. Nga informacionet e marra në rrugë operative, blutë kanë evidentuar mjetin që po shkonte në drejtim të Vlorës. Ata i kanë bërë shenjë të ndalonte drejtuesit të makinës tip Huyndai me targa Vl 4402 C. Gjatë kontrollit të kryer, policia gjeti një sasi prej 20.6 kilogramë drogë, si ajo e llojit canabis sativa. Sipas policisë, bima ishte e sistemuar në 20 pako, të cilat dyshohet se ishin gati për t’u hedhur në treg. Pasi u sekuestrua sasia e mësipërme e bimës narkotike, policia arrestoi në kushtet e flagrancës 25-vjeçarin, i cili u çua në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Vlorës. Ai akuzohet për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike”. Po ashtu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe sasia e hashashit që iu gjet në makinë. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e mëtejshme të trafikut dhe për të evidentuar personin që priste mallin, pasi dyshohet se Malja ishte thjesht korrier. I riu është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, por deklarata e tij për efekt të hetimit nuk bëhet e ditur. Mësohet se kontrolli i mjetit është bërë pas një sinjali në rrugë operative. Droga dyshohet të jetë kultivuar në fshatin e të arrestuarit. Policia bëri edhe një kontroll në banesën e tij, por mësohet se nuk gjeti ndonjë armë. q.b