Kuvendi, Kodi Penal në seancë
Kuvendi i Shqipërisë në seancën e të hënës do të hedhë për votim dy amendamente që kanë të bëjnë me përmirësime të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. “Shqipëria në moshën e internetit” kërkon të adaptojë në Kodin Penal të gjitha keqpërdorimet e internetit dhe sanksione ndaj shkelësve të tij. Në amendimet e reja përcaktohen dënime penale për të gjithë ata që kërcënojnë apo përhapin materiale me përmbajtje terroriste apo luftënxitëse, por dhe kërcënuese në internet. Gjithashtu Kodi Penal do të pasurohet me nenet që do të dënojnë me burg të gjithë ata që trukojnë ndeshjet në sport. Ka qenë një premtim i kryeministrit Berisha për të dënuar çdo shitje apo blerje të rezultatit të ndeshjeve të futbollit pas akuzave të shumta që u bënë gjatë kampionatit të fundit të futbollit. Pritet që këto amendime në Kodin Penal të mos gjejnë kundërshti në Kuvend për shkak se për to janë të interesuara të gjitha palët politike për të plotësuar vakumin ligjor në aktivitetet e lartpërmendura.