G99, politikë “përtej të majtës dhe të djathtës”
“Shqipëria ka nevojë për një politikë krejtësisht të re, përtej të majtës dhe të djathtës”. Kështu deklaroi nga Shkodra kreu i Lëvizjes “G99”, Veliaj, gjatë prezantimit të kësaj lëvizje në qytetin e Shkodrës. Fillimisht të pranishmit përmes një minidokumentari kanë rikthyer në memorien e tyre 18 vitet e tranzicionit të Shqipërisë. Kreu i kësaj lëvizje, Erion Veliaj, ka theksuar në fjalën e tij se “politikanët tanë mburren ende me rrëzimin e komunizmit dhe jo me ato çfarë kanë bërë këto 18 vite”. Sipas tij, deputetët shqiptarë janë të interesuar vetëm për rritjen e buxhetit të pagës dhe makinave të tyre e jo për qytetarët. Veliaj më pas ka bashkëbiseduar me të pranishmit rreth problematikave sociale që kanë përfshirë vendin, si në arsim, shëndetësi etj. Veliaj u tregua i ashpër me maxhorancën aktuale, duke thënë se në Shkodër ajo ka shfrytëzuar historikun e dhimbshëm të persekutimit pa dhënë asnjë investim për të çuar përpara qytetin.