E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat për larje hesapesh, të hetuarit për trafik droge

 

tirane/ Dashamir Biçaku

Ekzekutohet në qendër të Kombinatit 48-vjeçari i dyshuar për përfshirje në trafik droge dhe bashkëpunim në vrasje. Ilir Neziri, 48 vjeç, banues në rrugën e Qelqit në lagjen Kombinat në Tiranë, mbeti i vdekur mbrëmë rreth orës 20:30. Ai u qëllua një herë të vetme me armë zjarri, që besohet se ka qenë pistoletë. Viktima është goditur në mënyrë të papritur nga një person ende i paidentifikuar. Specialistët e policisë dyshojnë se shkak për krimin mund të ketë qenë një përfshirje e mundshme e viktimës në një histori të trafikut të drogës. Kjo pasi vetëm një muaj e gjysmë më parë, 48-vjeçari Neziri ishte arrestuar bashkë me djalin për posedim, shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Djali i viktimës kishte marrë përsipër pronësinë e heroinës. Ilir Neziri kishte lënë qelinë pasi kishin rënë akuzat ndaj tij. Sipas policisë, viktima ka qenë i hetuar dhe i akuzuar si person i përfshirë në nxjerrjen në pritë të Petrit Drizës, i vrarë në dhjetor të vitit 2005, krim për të cilin u akuzua Altin Hoxha. Ky i fundit dyshohej si ishte hakmarrë për të vëllanë e vrarë duke ekzekutuar Petrit Drizën me ndihmën e viktimës së atentatit të mbrëmjes së djeshme. Ai kishte vetëm pak minuta që kishte hyrë në një lokal jashtë banesës së tij, ndërsa po pinte një kafe në pritje për të parë ndeshjen e mbrëmjes së Serisë A, Juventus- Torino. Viktima ishte ulur në ambientet e brendshme të lokalit kur është qëlluar në mënyrë të papritur me pistoletë. Autori është larguar rrufeshëm përmes pallateve, duke humbur në errësirë. Viktima është shembur mbi tavolinë dhe më pas në tokë, ndërsa në lokal ka rënë paniku dhe frika. Viktima e vrasjes, i njohur për policinë si kontingjent kriminal, me precedentë të mëparshëm, ka ndërruar jetë në lokal i shtrirë përdhe dhe i gjakosur. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes ku administroi predhën e armës. Sipas hetuesve, viktima ka marrë një plagë tejshpuese që merrte udhë në pjesën e sipërme të buzës në krahun e djathtë dhe përfundonte pas koke. Hetuesit kanë shoqëruar në polici mbrëmjen e djeshme disa persona në cilësinë e të dyshuarve, apo që kishin dijeni mbi rrethanat e atentatit. Policia tha se hetimet janë pranë identifikimit të autorëve të vrasjes, ndërsa po punohet për grumbullimin e provave ndaj tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›