E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, arrestohet zyrtari i hipotekës

 

LEZHE - Arrestohet punonjësi i Hipotekës në Lezhë. Bardhok Bardhi, me detyrë ndihmës inspektor dhe njëkohësisht arkëtar i këtij institucioni, ishte mbajtur në survejim prej më shumë se katër muajsh nga policia. Ndërkohë, po dje, policia e Shkodrës pezulloi nga detyra një inspektor të Hanit të Hotit. Shaqir Hasanaj bashkë me një ish-koleg të tij, të dalë në reformë, akuzohen për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës. Sipas policisë së Lezhës, arrestimi i Bardhok Bardhit është kryer për “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën, në bashkëpunim”. Ndaj tij ishte depozituar një kallëzim nga një shtetase, pasi në gusht 2008, gjatë kryerjes së detyrës, ai i kishte vjedhur asaj rreth 64 mijë lekë të reja. Sipas burimeve, ai bashkë me persona të tjerë, të cilët dyshohet të jenë punonjës të hipotekës, i kishin premtuar asaj se do t’ia mbaronin shpejt procedurat e një tapie. Bardhi u mbajt edhe në përgjim gjatë hetimeve dhe rezultoi se ai u premtonte edhe shtetasve të tjerë t’i ndihmonte në regjistrimin e pasurive, duke marrë përsipër t’i vinte vulën origjinale edhe tapive të dyshimta. Ndërsa në lidhje me pezullimin e inspektorit të Hanit të Hotit, mësohet se SHKB-ja dhe Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit kanë nis hetimet për Inspektor Shaqir Hasanaj si dhe ndaj ish-punonjësit të policisë Tom Camaj, aktualisht taksist.          r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›