E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj, heroi kryeopozitar!

Martin Leka 

Një herë ishte një ndër komandantët më në zë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E quajtën hero pas luftës për përkushtimin, sakrificat dhe drejtimin e një ushtrie, e cila edhe pse e papërgatitur dhe e pastrukturuar si ushtritë bashkëkohore, kishte me vete diçka që s’mund ta kenë edhe ushtritë më moderne: idealin e madh për çlirimin nga zgjedha e të huajit. Luftëra të tilla popujt e tjerë kanë dhjetëra dekada që i kanë lënë pas në kohë. Por për shqiptarët e Kosovës ishte e thënë që vonesa të ishte edhe me më tepër çmim, por edhe me më tepër sakrificë hutuese për vendimmarrësit gjeopolitikë të kësaj bote. Ramushi i dha shumë kohës së re të vendit të tij, kolegëve dhe bashkëluftëtarëve. Shumë nga guximi, shumë nga vullneti, shumë nga ideali, shumë nga ndershmëria dhe trimëria… Dhe në fund të gjitha u shpërblyen me mishërimin e së vërtetës së meritueshme, lirisë së Kosovës.
Pikërisht për shkak të kësaj historie reale dhe të paimitueshme prej shumëkujt, e quajtën Hero! Si shumë luftëtarë të tjerë, si vetë UÇK-në!
Mirëpo s’qenka e lehtë të jesh hero! Sepse nëse nuk ke vullnetin dhe përgjegjshmërinë për të përballuar gjithçka përmban fjala “hero”, atëherë fillon zvetënimi dhe perëndimi i heroit, “vdekja e gjallë” e tij! Sepse heroi është i dukshëm. Atë e shohin kur kalon në rrugë, kur u flet njerëzve, kur del në tribunë e kur thjeshtë bisedon me dikë...
Për fatin e tij dhe të atyre që besuan tek Haradinaj, kjo gjë nuk ndodhi as me Ramushin, as me “heroin”! Nuk ndodhi, sepse vetëpërgjegjësia dhe koshienca e heroit ishte kaq e plotë dhe e thjeshtë, sa thua se ai nuk e kishte dëgjuar kurrë se e njihnin dhe e dinin për hero!
Pas luftës, vinte paqja, ajo që ish-Presidenti Klinton e formuloi si sfidën grandiose të Kosovës, duke formuluar devizën: “Ne luftën, ju paqen”. Ramushi u bë Kryeministër i Kosovës. Sigurisht, për mbërritjen deri në atë votëbesim popullor dhe përballimin e kësaj detyre, e ndihmoi edhe “heroi”. Nuk mund të thuhet - si për asnjë kryeministër tjetër dhe jo vetëm në Kosovë - se mund të bëhesh “hero” duke qenë kryeministër. Madje, edhe duke ardhur si i tillë, si në rastin e Ramushit… Përkundrazi. Kryeministri është gjithnjë në përballje me “heroin” dhe në “luftë” me të.
Në këtë përballje, Haradinaj mund ta “linte” heroin në një nga zyrat e selisë së qeverisë së Kosovës dhe mund të dilte prej andej jo si hero, jo si kryeministër, por thjeshtë si një ish-kryeministër që dikur qeverisi kosovarët në kohën e parë të lirisë.
Ramush Haradinaj u ribë hero! Për herë të dytë!
Në kulmin e karrierës së tij politike si kryeministër, armiqtë historikë, serbët, ndërsa vetë i mbanin kriminelët më të kërkuar fshehur nëpër haure e bodrume, kërkonin gjykimin në Hagë të kryeministrit të Kosovës, Haradinaj. Ky, mund të mos e jepte dorëheqjen, mund të vazhdonte të bënte karshillëk, por nuk zgjodhi këtë rrugë. Zgjodhi përsëri sfidën! Zgjodhi rrugën e vetësakrificës, për herë të dytë, për hir të Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Dhe nuk është pak të hysh në mëngjes në kryeministri si kryeministër dhe të të zërë mbrëmja në një qeli burgu, madje nën një çati ku gjendeshin nën akuzë zyrtare kriminelët e popullit dhe kombit tënd, ata të cilët shëmtuan imazhin e kombit të tyre dhe Ballkanit?!... Ky është një tjetër heroizëm i Ramush Haradinajt. Këtë heroizëm të papërshkrueshëm, e para e lexoi dhe duartrokiti Europa. Emra ndër më të spikaturit e inteligjencës evropiane u bashkuan në një reagim vlerësues për këtë heroizëm të ri veprimi dhe sjelljeje të Ramush Haradinajt.
Personazhi kompleks i Ballkanit të ri, përmes këtij akti paraqitës në Gjykatën e besimit shumëkombësh, kishte dhënë një provë për llogari të popullit, vendit dhe qeverisjes së re të tij. Kosova e lirë, sfidon me sjelljen dhe veprimin e ndërgjegjshëm institucional. Haradinaj po mishëronte atë që pohon politikani-filozof Havel: “Tek gjykata dhe qelia ballafaqohet formimi dhe sjellja për lirinë dhe të drejtën”. Vuajtja individuale e Haradinajt ishte provë lirie për vendin dhe ardhmërinë e qeverisjes së Kosovës.
Heroizmi i ri i tij është një faqe e re e historisë vepruese të Kosovës. Prej asaj dite, Kosova u ndie më e devotshme dhe e sigurt për vetëqeverisje, fitoi besim të shtuar dhe përcaktoi drejtqëndrimin në raport me sfidat institucionalizuese drejt demokracisë dhe botës perëndimore..
Haradinaj realizoi një sjellje, e cila emanciponte mendimin e botës për vendin e tij. Ky është heroizmi modern i botës së sotme. Përmes provës së pafajësisë, heronjtë e lirisë, konstituojnë besimin e përbotshëm për vendin e tyre.
Kjo është merita e Haradinajt, e kryeopozitarit të sotëm të Kosovës, i cili dje ishte luftëtar dhe në mënyrë të përkryer realizoi metamorfozën e kalimit nga komandant në kryeministër, nga hero në lider. Ishte hapi i parë që i dha atij atributet e bashkarkitektit të pluripartitizmit më të ri në shtetin më të ri të Europës. Si i tillë, ish-heroi, një ndër arkitektët e strukturës politike në vend, po madhohet sot në vendin e tij, si kryesues i alternativës së konkurrimit dinjitoz politik.
Këtë heroizëm real, Haradinaj e sheh si ideal dhe devizë detyruese. Për këtë shkak, ai quhet prej shumëkujt që lexon shfaqjet dhe sjelljet përmbajtësore në politikë, si protagonisti që udhëton si shërbestar i fuqishëm ndaj vendit të vet.
Këtë në ditët tona, e bëjnë shumë pak politikanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›