Arrestohet i riu, që plagosi tre veta me granatë në Selenicë
Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Vlorës vunë në pranga Romeo Rustemin
Policia e Tiranës arrestoi autorin e dytë të ngjarjes së dy ditëve më parë në Selenicë, ku u plagosën me granatë tre të rinj. Pas një bashkëpunimi midis agjentëve të Tiranës dhe atyre të Vlorës u vu në pranga në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme Romeo Rustemi, i cili kishte arritur që të vinte në kryeqytet për t’iu shmangur arrestimit. Të shtunën në mbrëmje u arrestua Agim Harizaj, një tjetër i ri i përfshirë në këtë ngjarje. Rustemi u kap ndërsa po përpiqej t’i fshihej policisë, duke u strehuar në një banesë. Agjentët kishin rënë në gjurmë të tij pas ngjarjes së ndodhur në Selenicë dhe ditën e djeshme, në bashkëpunim me uniformat blu në kryeqytet kryen edhe ndalimin e tij. Sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka qenë pikërisht Rustemi ai që ka hedhur granatën në drejtim të Ervis Alushit, Gentian Abazit dhe Edison Ademit. Pas arrestimit, ai u shoqërua për në qelitë e paraburgimit në qytetin e Vlorës. Ndërkohë që në kërkim është Mikel Harizaj, i përfshirë në plagosjen e tre të rinjve.
Ngjarja e rëndë, ndodhi në orët e vona të ditës së premte. Sipas burimeve nga policia, gjashtë të rinjtë e përfshirë ishin shokë me njëri-tjetrin dhe po pinin në një prej lokaleve në qendër të qytezës së Selenicës. Rreth orës 22:30, ata kanë nisur të grinden, duke shkëmbyer sharje të ndërsjella. Përplasjet me fjalë i kanë lënë vendin konfliktit fizik midis tyre. Sipas dëshmitarëve, njëri prej të rinjve ka ndjekur nga pas tre pjesëtarët e grupit tjetër që po dilnin nga lokali dhe ka hedhur një granatë jashtë lokalit. Si pasojë e shpërthimit kanë marrë plagë në trup, duke u plagosur, Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademit. Të rinjtë kanë pasur fat, pasi granata e hedhur ka rënë pas një automjeti, duke shmangur kështu dëmtime më të mëdha, apo viktima të tjera. Grupi i të rinjve që hodhën granatën, i përbërë nga Mikel Harizaj, i vëllai i tij, Agimi dhe Romeo Rustemi, janë larguar menjëherë nga vendngjarja, për t’iu shmangur arrestimit. Ndaj të plagosurve është dhënë ndihma e parë, duke i dërguar ata në spitalin e qytetit të Vlorës. Pas ndërhyrjes mjekësore, situata e tyre u përmirësua dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia nisi menjëherë kërkimet dhe vuri në pranga njërin prej të rinjve të përfshirë, Agim Harizajn.
Ndërkohë që nisën kërkimet për të arrestuar dy të rinjtë e tjerë. Uniformat blu gjetën në mëngjesin e së shtunës në fshatin Rroms mjetin e përdorur për t’u larguar nga vendngjarja, një "Mercedes Benz" pa targa. Ndërkohë që në paraditen e djeshme u vu në pranga Romeo Rustemi. Po punohet për kapjen e autorit të tretë të këtij krimi, Mikel Harizajn.