E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i sëmuri mendor, hyri me mjet në oborrin e Presidencës



Tiranë - Mevlan Fejzaj, 50-vjeçari që tentoi të hynte dy ditë më parë në Presidencë me mjetin e tij, është arrestuar dje. Burimet thanë se ai ka manifestuar probleme të shëndetit mendor
Uniformat blu të Tiranës njoftuan se prangosja e fierakut u bë nën akuzën e “shkatërrimit të pronës me mjete të tjera” dhe “prishjes së qetësisë publike”. Sipas policisë, Fejzaj, duke drejtuar automjetin tip “benz”, me targa Fr. 5462 c, dëmtoi të dielën portën hyrëse nr. 2 të Presidencës, si dhe hyri në oborrin e saj, ku u kap menjëherë nga personeli i Gardës. Pas shoqërimit të tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe marrjes në pyetje, grupi hetimor konkludoi se Fejzaj ka shfaqur probleme të shëndetit mendor. Menjëherë pas incidentit u morën në pyetje edhe familjarët e të arrestuarit, të cilët deklaruan se kishin ardhur në Tiranë për ta mjekuar. Policia bllokoi me cilësinë e provës materiale automjetin e këtij shtetasi, ndërsa aktet procedurale në ngarkim të tij i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›