“FT”: “Kroacia në NATO, Shqipëria dhe Maqedonia në pikëpyetje”
Gazeta britanike “Financial Times” disa ditë para Samitit të NATO-s jep komentin e saj për 3 vendet që presin ftesën dhe kandidatja që ka më shumë mundësi për të arritur synimin e saj është Kroacia. Sipas gazetës, në Bukuresht ende nuk ka një vendim nëse ftesën për anëtarësimin do ta marrin një, dy apo tre vende të Ballkanit Perëndimor. Ftesën shpresojnë ta marrin Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria, megjithatë Maqedonia po përballet me një sërë problemesh me Greqinë për shkak të emrit, i cili mund të bëhet shkaktari kryesor i dështimit të këtij vendi, ndërsa mossuksesi maqedonas, bashkë me dyshimet prezent përsa i përket gatishmërisë së Shqipërisë për anëtarësim, mund të minojë edhe ambiciet e Tiranës”,-pohon gazeta. “Financial Times” ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-ve në favor të marrjes së ftesës për 3 vendet, në mënyrë që të forcohej stabiliteti rajonal pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, gazeta, nëpërmjet shkrimit të saj na bën të besojmë se ftesën për anëtarësim e ka të fituar vetëm Kroacia.
Presidenti Bush i pranishëm në Samitin e NATO-s
Presidenti Bush ka filluar dje vizitën e tij në Europë, e cila do të përfshijë takimin e NATO-s në Rumani dhe bisedime rreth planeve për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat me presidentin rus Vladimir Putin. Ndalesa e parë e presidentit amerikan është Ukraina. Bush ka shprehur bindjen që NATO-ja duhet të fillojë procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, megjithëse Moska e ka bërë të qartë se nuk do që NATO-ja të zgjerohet pranë kufijve të saj. Pasardhësi i presidentit Putin, Dimitri Medvedev, thotë se anëtarësimi në NATO i dy ish-republikave sovjetike mund të kërcënonte sigurinë e Europës. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë kërkuar që partnerët e tyre të NATO-s të kontribuojnë më shumë në misionin e Afganistanit.
Bushi ka pranuar ftesën e presidentit Putin për t’u takuar në Soçi të Detit të Zi në fund të javës për bisedime rreth sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat që do të vendoset në Poloni dhe Republikën Çeke.
1 Prill 2008