E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, sa orë duhet të punojnë policët dhe ditët pushim

Dobjani i shkruan Nishanit për orët shtesë dhe ditët pushim të policëve. Projektligji po përpunohet në Ministrinë e Brendshme dhe kërkohen shpjegime para se të mbërrijë në qeveri

Laureta Rryçi

Në Institucionin e Avokatit të Popullit kanë mbërritur ankesa nga punonjës të policisë së shtetit të cilët kanë ngritur shqetësimin për mosrespektimin e ligjit lidhur me kohëzgjatjen javore të punës dhe të pushimit. Sipas tyre, ata punojnë jo më pak se 48 orë në javë, nuk bëjnë dy ditë pushim në javë, nuk bëjnë pushim ditët e festave zyrtare dhe nuk paguhen për mbikohën e punës. Ata pretendojnë se ky shqetësim ka vite që ekziston në radhët e policisë, por nga drejtuesit e saj nuk janë bërë dhe nuk po bëhen përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi. Nisur nga këto ankesa, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i ka dërguar një rekomandim ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, duke e njohur jo vetëm me situatën por edhe duke i kërkuar shpjegime në lidhje me përgatitjen e projektvendimit “Për kohën e punës dhe të pushimit të punonjësve të policisë së shtetit dhe përcaktimin për masën e përfitimit nga kjo e drejtë”.
Ankesat
Ankesat për orët e pushimit apo për mospagesën për orët shtesë për policwt, Avokati i Popullit nuk i ka mësuar vetëm me anw tw letrave tw dërguara. Ky shqetësim me sa duket është ngritur verbalisht herë pas here nga punonjësit e policisë së shtetit në takime të ndryshme që kanë pasur me përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit. Mirëpo për shkak të procedurës ligjore, e cila kërkon normalizimin me shkrim të ankesave apo kërkesave të personave të dëmtuar apo të interesuar, ky institucion nuk e ka regjistruar e shqyrtuar atë. Pas bërjes me shkrim të ankesave në institucionin tonë, për verifikimin e këtij shqetësimi përfaqësuesit tanë kanë marrë takime me punonjës të niveleve të ndryshme të policisë së shtetit në organet vendore dhe qendrore të saj. Ata e konfirmuan të vërtetë këtë shqetësim veçanërisht në strukturat vendore të Policisë, të cilat janë më të prekura prej tij.
Ligji
Ligji i ri “Për policinë e shtetit” përcakton se “koha e punës dhe e pushimit” për punonjësit e policisë është parashikuar dhe rregulluar në Nenin 87 të tij, i cili përcakton se: “Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e policisë njësohet me atë të punonjësve të tjerë të administratës publike, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj…. Ndërsa kriteret dhe masat e përfitimeve përcaktohen me akt të veçantë normativ të Këshillit të Ministrave. Komisionerët kanë konstatuar se kjo e drejtë ka qenë e parashikuar edhe në ligjin e mëparshëm “Për Policinë e Shtetit”, por përveç punonjësve të Policisë në administratën qendrore, për të tjerët nuk u zbatua.
Përplasjet
Nga aktet normative që ekzistojnë rezulton se punonjësit e policisë së shtetit gëzojnë të drejtën ligjore të javës 40-orëshe të punës dhe të gjitha të drejtat që gëzojnë punonjësit e tjerë të administratës publike. Mirëpo nga verifikimi i bërë nga komisionerët ka rezultuar se deri tani nuk është miratuar nga Këshilli i Ministrave ndonjë vendim për rregullimin e kohës së punës dhe të pushimit të punonjësve të policisë së shtetit. Mosmiratimi i tij është bërë pengesë për respektimin e të drejtave ligjore të punonjësve të policisë. Megjithëse ligji “Për Policinë e Shtetit” në Nenin 129 të tij parashikon detyrimin e Këshillit të Ministrave që të nxjerrin aktet normative në zbatim të këtij ligji brenda një viti nga hyrja në fuqi e tij, ne gjykojmë se në rastin konkret, për përgatitjen dhe nxjerrjen e VKM-së në bazë e për zbatim të Nenit 87/6 të këtij ligji, nuk duhet pritur më tej dhe plotësimi i afatit maksimal. Ashtu sikurse u përshkrua edhe më sipër, këto të drejta punonjësve të policisë ua jep ligji organik i policisë, i cili ka hyrë nw fuqi në datwn 05.07.2007, ndërsa me VKM-në që pritet të miratohet do të përcaktohen vetëm kriteret dhe masat e përfitimeve nga ky ligj dhe jo futja në fuqi e respektimi i kësaj të drejte. Përderisa ligji ka hyrë në fuqi, ai duhet të zbatohet me korrektësi si përsa u përket detyrimeve, ashtu edhe për të drejtat e punonjësve të policisë.

Kompetenca e Avokatit të Popullit
Kushtetuta përcakton se: "Organet dhe funksionarët publikë janë të detyruar t'i paraqesin Avokatit të Popullit të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara prej tij", në Ligjin Nr. 8454, dt. 04.02.1999, "Për Avokatin e Popullit", i ndryshuar, respektivisht; në nenin 19, germa "b" ku thuhet se: "Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë shpjegime nga çdo organ i administratës qendrore dhe vendore si dhe të marrë çdo dosje apo material që ka lidhje me hetimin", në nenin 20 ku thuhet se: "Avokati i Popullit ka të drejtë të kërkojë edhe informacione apo dokumente, që lidhen me çështjen në shqyrtim, të klasifikuara si sekret shtetëror" dhe në nenin 19, paragrafi i fundit, ku thuhet se: "Avokati i Popullit ka të drejtë të caktojë një afat për kryerjen e veprimeve të mësipërme". Nisur nga kjo Avokati i Popullit i ka kërkuar shpjegimë sa më shpejt në lidhje me këtë projektligj nga ana e Ministrisë së Brendshme.

Aktet normative që rregullojnë kohën e punës e të pushimit për punonjësit e administratës publike janë:

1. Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili në nenin 83 të tij përcakton se:

“Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë….

2. VKM Nr. 511, dt. 24.10.2002, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore”, i ndryshuar, i cili ka dalë në bazë e për zbatim të Ligjit Nr. 8549, dt. 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil dhe Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë”, i cili në nenin 1, pika 1, përcakton se:

“Kohëzgjatja javore e punës është 40 orë në javë për nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë, në institucionet e administratës publike të nivelit qendror, si dhe në institucionet e tjera shtetërore….”

Gjithashtu ne konstatojmë se me këto akte normative është bërë edhe rregullimi i pagesës së punonjësve të institucioneve shtetërore kur ata punojnë jashtë orarit ditor, në ditët e pushimit javor dhe të festave, si dhe gjatë natës.

Në nenin 6, pika 1 e Ligjit Nr. 9749, dt. 04.06.2007, “Për Policinë e Shtetit”, përcaktohet se:

“Policia e Shtetit është institucion i administratës publike, …”.

Ligji i Policisë së Shtetit
Neni 87
Koha e punës dhe e pushimit
1. Koha e punës dhe e pushimit për punonjësit e Policisë njësohet me atë të punonjësve të tjerë të
administratës publike, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
2. Pushimi vjetor i pagueshëm për punonjësit e Policisë është 30 deri në 45 ditë kalendarike dhe jepet i
shkallëzuar, sipas niveleve dhe gradave.
3. Kur për arsye pune e shërbimi, pushimi vjetor nuk mund të jepet brenda vitit, ai duhet të jepet jo më
vonë se në muajin mars të vitit pasardhës, në të kundërt bëhet kompensimi në vlerë, sikurse edhe për
orët shtesë të punës dhe të shërbimit.
4. Në rastet e gjendjes së jashtëzakonshme, të fatkeqësive natyrore apo të gatishmërisë, koha deri në 24
orë mbi kohën normale të punës e të shërbimit, brenda 6 muajve, nuk trajtohet si orë shtesë pune.
5. Në rast fatkeqësie familjare, martese apo në raste të tjera të veçanta, punonjësit të Policisë i jepet deri
në 7 ditë leje e pagueshme ose deri në 2 muaj leje pa të drejtë pagese.
Periudha e lejes pa të drejtë pagese nuk llogaritet në vjetërsi pune e shërbimi dhe as për efekte të ecurisë
në karrierë.
6. Kriteret dhe masat e përfitimeve përcaktohen me njw akt të veçantë normativ të Këshillit të Ministrave.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›