E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet i shpalluri në kërkim për vrasje

05/03/2005  Kërcënoi me sëpatë

SHKODËR - Arrestohet 38-vjeçari Lazër Tonin Lisi, nga fshati Grudë e Re i rrethit Malësi e Madhe. Lisi akuzohet për kanosje për vrasje si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, ndërsa në momentin e ndalimit atij i është gjetur në makinë një sopatë.

Ndalimi i tij u bë i mundur nga policia e Shkodrës rreth orës 18.00 të ditës së enjte. Ky shtetas kishte qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për rrëmbim personi si dhe grabitje me dhunë.

I kërkuari 38-vjeçar është ndaluar, teksa po udhëtonte me një automjet tip “Volksvagen” në drejtim të Shkodrës.

Ndalimi i tij është bërë pasi pak kohë më parë ka tentuar të vrasë një shtetas në një fshat të rrethit Malësi e Madhe.

Burimet nga policia bëjnë të ditur se Lazër Lisi, pasditen e së enjtes, rreth orës 17.00, në fshatin Grilë, të rrethit Malësi e Madhe, pas një zënke të momentit me një 38-vjeçar nga fshati Omaraj, e ka kërcënuar këtë të fundit për ta vrarë me armë zjarri. Pas veprimeve të tij, ai është larguar menjëherë në drejtim të Shkodrës, ndërsa 38-vjeçari ka denoncuar Lisin për veprimin që ka bërë ndaj tij. Menjëherë forcat e policisë së rrethit Malësi e Madhe janë vënë në ndjekje. Përveç policisë së Malësisë së Madhe, në ndjekje të tij janë vënë edhe policët e komisariatit të Shkodrës, të cilët kanë evidentuar në hyrje të qytetit të Shkodrës në aksin nacional Koplik-Shkodër automjetin e të kërkuarit.

Blutë e Shkodrës kanë bërë ndalimin e këtij automjeti dhe kanë ushtruar kontroll si ndaj mjetit, ashtu edhe e kanë verifikuar identitetin e tij. Në bazë të kontrollit të ushtruar ka rezultuar se automjeti ishte pa dokumentacionin përkatës si dhe i është gjetur një sopatë e madhe, të cilën e mbante në bagazhin e automjetit. Menjëherë është bërë ndalimi dhe shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Malësisë së Madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›