E Hënë, 2 Nëntor 2026

Transferimi i të paraburgosurve nuk e zgidhi problemin

05/03/2005  Ankohen familjarët

SHKODËR – Gjendja është ende e rënduar në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës. Familjarët e të paraburgosurve shprehen ende të pakënaqur për gjendjen e të afërmve të tyre në këto dhoma, ndërsa sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se largimi i 50 të paraburgosurve, nuk e zgjidhi problemin. Sipas të njëjtave burime, është e domosdoshme edhe largimi i të paraburgosurve të tjerë, për normalizimin e gjendjes në këto dhoma izolimi.

Gjendja e rëndë e të paraburgosurve të Shkodrës, u evidentua disa javë më parë, kur ata zhvilluan një protestë, ndërkohë që ishin arratisur tre të paraburgosur.

Tri ditë më parë, e njëjta protestë u ripërsërit me përmasa edhe më të mëdha, ndërsa pas kësaj, drejtues të policisë lokale, të Ministrisë së Rendit Publik e Ministrisë së Drejtësisë, vendosën transferimin e 50 prej tyre. Ndër 50 personat e parë të transferuar bëjnë pjesë 20 të dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa 30 të tjerët janë gjykuar nga gjykata e Shkodrës, por kanë qenë në pritje të zbardhjes së vendimeve.

Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Rendit për lëvizjen e të dënuarve nga gjykata nga dhomat e paraburgimit të kësaj drejtorie policie.

Në komisariatin e policisë Shkodër ndodhen 14 dhoma të paraburgimit, ku kapaciteti i tyre ishte për 48 persona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›