Arrestohet i shumëkërkuari i Italisë, akuzë për shfrytëzim të prostitucionit
VLORE – Arrestohet nga Policia e Vlorës i shumëkërkuari për trafik të prostitucionit. Ditën e djeshme, policia e Vlorës ka prangosur 45-vjeçarin Ferdinand Lamaj, lindur në Fier e banues në qytetin bregdetar, për të cilin ka hetuar Gjykata e Milanos në Itali. Për Lamajn, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur dënimin e tij në mungesë me 13 vjet e 9 muaj heqje lirie, për një sërë akuzash. Ato nisin me veprën penale të “pjesëmarrjes në organizata kriminale, me qëllim shfrytëzimin dhe trafikimin e femrave në shtetin fqinj” “armëmbajtje pa leje”, “tentativë vrasje”, etj. Policia e Vlorës ka mundur ta prangosë atë në lagjen “Hajro Cakërri” të qytetit. Mësohet se disa vite më parë, Lamaj ka qenë emigrant në shtetin fqinj, ku është përfshirë në rrjetin e akuzuar, në veri të Italisë. Nuk dihen ende bashkëpunëtorët e tij, por bazuar te hetimet e palës italiane, Krimet e Rënda plotësuan dosjen e më pas kërkuan gjykimin e tij në mungesë. Lamaj, menjëherë pas arrestimit është dërguar në dhomat e paraburgimit të Vlorës, në pritje të transferimit të tij në burgun ku do të vuajë dënimin. q.b