Vetëvaret para nisjes në Itali
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Vetëvaret në verandën e shtëpisë, pak para se të nisej si emigrant në Itali. Astrit Hoxha u gjet pa jetë dje në mëngjes nga babai i tij. Ai kishte dalë herët në mëngjes për të gjetur një taksi për të çuar të birin në Durrës, nga ku do të udhëtonte me traget. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në lagjen “Perash” të Shkodrës. Policia bëri të ditur se kanë nisur hetimet, por shkaku i vetëvarjes së 32-vjeçarit mbeten ende enigmë. Sipas policisë, dyshohet se shkaqet ekonomike të kenë çuar të riun drejt vetëflijimit. Gjithsesi, kjo pistë mbetet disi e zbehtë për vetë faktin se Hoxha ishte pajisur pak ditë më parë me vizë italiane, dhe pikërisht dje pritej të nisej drejt shtetit fqinj. Ai kishte bërë gati valixhet, por në momentin e fundit kryen aktin fatal. Sipas familjarëve të viktimës, Hoxha kishte tentuar edhe herë të tjera t’i jepte fund jetës, duke konsumuar mbidozë ilaçesh. Por megjithë këto tentativa, kishte mundur të shpëtonte. Policia e Shkodrës e sinjalizuar për këtë ngjarje mori edhe deponimin e babait të 32-vjeçarit. “Dola që në mëngjes për të marrë një taksi për ta përcjellë djalin në Durrës. I kishte dalë viza. Kishte prerë dhe biletën dhe do të nisej sot (dje) për në Itali. Kur erdha në shtëpi, e gjeta Astritin të varur në verandë”, deklaroi babai i viktimës për grupin e hetimit. Sipas tij, bashkë me të afërm të tjerë të tij është munduar që ta zbresë Astritin me shpejtësi nga litari, me shpresën se mund të ishte akoma gjallë. Por për fat të keq, përpjekjet rezultuan të kota pasi ai kishte dhënë shpirt. Ata njoftuan menjëherë policinë e cila mbërriti në vendin e ngjarjes dhe konstatoi se 32-vjeçari kishte vdekur si rezultat i vetëvarjes. Burime të policisë bënë të ditur se arsyeja e vetëflijimit mbetet enigmë. Dyshohet se një nga shkaqet mund të kenë qenë vështirësia ekonomike. Por sipas tyre, kjo hipotezë mbetet e dyshimtë pasi atij i kishte dalë viza për Itali dhe do të nisej dje, nëse nuk do të kishte kryer aktin e vetëflijimit. Dyshohet se shkak tjetër mund të jetë edhe depresioni për shkak se viktima i trembej emigracionit. Policia gjeti nëpër shkallë, të hedhura në mënyrë të shkujdesur, edhe tableta me ilaçe, ç’ka të çojnë në dyshimin se ai ka pirë fillimisht medikamente dhe më pas është vetëvarur.