BURREL/ Tentoi të vrasë shokun, pranga të kërkuarit
BURREL - Policia e Burrelit arrestoi dje një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim dy muaj më parë. Burime të policisë bënë të ditur se Artan Kuka akuzohej për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Më 20 qershor të këtij viti, pas një sherri banal me shokun e tij, ai tentoi ta vrasë atë duke e qëlluar me pistoletë. Pas incidentit, Kuka u largua. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe pasi bëri të mundur identifikimin e tij, e shpalli atë në kërkim. Arrestimi i 30-vjeçarit u bë në momentin që ai po dilte nga banesa e tij në Burrel. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative se i riu kishte filluar të shkonte në shtëpinë e tij. Blutë e mbajtën në survejim banesën dhe vepruan në momentin që Kuka po dilte. Mësohet se në momentin e arrestimit, ai nuk tentoi të bënte rezistencë. r.n