Asfiksohet polumbari që gjeti të zhdukurin
Dashamir Biçaku
Polumbarët e repartit special të policisë RENEA-s i dhanë fund dje kërkimeve nënujore për nxjerrjen e trupave të mbytur në liqenin e Butrintit. Mesdita e djeshme, përveçse u ka dhënë fund kërkimeve të efektivëve të repartit special të RENEA-s, duket se ka ruajtur edhe një surprizë për polumbarët, njëri prej të cilëve rrezikoi jetën gjatë nxjerrjes së trupit të 18-vjeçarit që rezultonte i zhdukur. Njëri prej efektivëve të këtij reparti, ka rrezikuar jetën gjatë zhytjes në thellësi për të nxjerrë trupin e pa jetë, pas të cilit ka përfunduar operacioni i kërkimeve nënujore në liqenin e Butrintit. Gjatë zhytjeve të djeshme, polumbarët e repartit RENEA, kanë gjetur dhe kanë nxjerrë kufomën e 18-vjeçarit nga Lushnja, Ndriçim Myftari, i cili u shpall i zhdukur prej pesë ditësh. Njëri prej polumbarëve, pikërisht komandanti i njësisë së zhytësve Sulejman Rama, ka mbetur i dëmtuar si pasojë e zhytjes në thellësi për një kohë të gjatë, aq sa u desh për nxjerrjen e trupit të 18-vjeçarit. Polumbari ia ka arritur qëllimit por dëmtimet që ka pësuar kanë qenë serioze ndaj menjëherë është përcjellë me helikopterin e RENEA-s, për ndihmë urgjente në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pas ndihmës së nevojshme të marrë nga mjekët, gjendja e polumbarit të RENEA-s është përmirësuar gradualisht. Sipas burimeve të Spitalit Ushtarak, gjendja e oficerit Sulejman Rama ka kaluar rrezikun. Për të vizituar oficerin e dëmtuar gjatë zhytjeve në liqenin e Butrintit, ka mbërritur në spital zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri dhe kreu i Policisë Ahmet Prençi. Ata janë interesuar për gjendjen e efektivit të RENEA-s, duke marrë kontakt me mjekët dhe më pas edhe me vetë zhytësin. Oficeri i RENEA-s edhe pse në gjendje jo të mirë, disa orë pasi mori mjekimet dhe gjendja e tij po stabilizohej pranoi të tregojë kërkimet që janë kryer në liqenin e Butrintit dhe rrezikun që u është kanosur për shkak të zhytjeve të shpeshta dhe të pandërprera përgjatë katër ditëve me radhë.
Si ndodhi që patët probleme gjatë zhytjes?
Po është e vërtetë që kisha probleme, kjo ka ardhur për shkak të ngarkesës së madhe dhe për shkak shpeshtësisë së zhytjeve që ne kemi kryer në një hark kohor prej katër ditësh. Sot nxorëm edhe trupin e fundit, atë të 18-vjeçarit nga Lushnja. Sapo nxorëm trupin pata probleme dhe humbje të ekuilibrit, nuk po kuptoja ç’po ndodhte. Më pas mbaj mend se kolegët më nxorën në breg, por shikoja që nuk ndihesha mirë.
Aktualisht si ndiheni, si e vlerësuan mjekët gjendjen tuaj?
Mjeku më tha që s’do të kem probleme, kam pasur kryesisht rritje të tensionit të gjakut, për shkak të qëndrimit të tepërt në ujë. Për fat të mirë tani ndihem më mirë dhe mjeku më tha që mund ta kaloj shpejt.
A patët rrezik gjatë zhytjeve?
Pati pak rrezik, për shkak të ngarkesës dhe intensitetit të zhytjeve të kryera prej nesh gjatë katër ditëve të fundit. E rëndësishme është që ne realizuam detyrën, arritëm të nxirrnim trupin e 18-vjeçarit, së paku ta varroste familja.
Na përshkruani momentin kur kuptuat se kishit probleme me shëndetin?
Ne kishim së paku katër ditë që zhyteshim në thellësi të ndryshme të liqenit. Zhytjet ishin të shpeshta dhe thellësitë ishin të konsiderueshme. Ato shkonin nga 10-15 metra. Veç kësaj, gjatë këtyre ditëve ne jemi zhytur për gati tetë orë në ditë. Po t’i shtosh kësaj edhe trysninë e lartë që krijohet në thellësinë që kalon në 10 apo 15 metra, si dhe rrymat e liqenit që përzihen me ato të detit, ujin e kripur me atë të liqenit, problemet e presioni nën ujë rritet shumë. Këtë intensitet zhytjesh, ne nuk e kemi bërë ndonjë herë më parë. Kjo besoj se solli edhe problemet që pata unë. Ato u shfaqën tek unë por edhe zhytësit e tjerë mund të kishin pasur probleme, për shkak të ngarkesës së paparashikuar që ne patëm në liqenin e Butrintit.
Ju fillimisht nxorët dy trupa, sa larg ishin nga vendi ku u mbyt varka?
Trupat janë gjetur në një thellësi prej 10 metrash nga sipërfaqja e ujit. Distanca nga vendi ku u mbyt varka me vendin ku u gjetën trupat ishte afërsisht 10 metra. Nuk ishin larguar shumë trupat e parë nga vendi i varkës.
Po trupi i 18-vjeçarit nga Lushnja, si është gjetur?
Trupi i tij, në fakt ishte larguar rreth një kilometër nga vendi i mbytjes së varkës. Patëm vështirësi, pasi ne kërkuam thuajse në të gjithë perimetrin e liqenit dhe trupi i tij nuk po gjendej.
“Mezi e njoha djalin, shpresoja mos ishte ai”
SARANDE - “Është Ndriçimi. Është im bir”. Vetëm këto fjalë mundi të thoshte dje Ylli Myftari, teksa me shpirt të vrarë dhe i drobitur nga pritja prej pesë ditësh buzë liqenit të Butrintit, identifikoi djalin e tij si viktimën e pestë të kësaj tragjedie. Shpresat për këtë familje të mjerë, se djali i tyre 17-vjeçar mund të ishe gjallë u shuan. Babai i viktimës nuk mundet të përmbahet nga kjo fatkeqësi. “Po kthehem në shtëpi me djalin në arkivol. Jam baba fatkeq”, shprehet Ylli Myftari. Ai priste mbrëmë para morgut të Sarandës të merrte trupin e të birit, që u nis klandestin në Greqi i detyruar nga skamja në familjen e tij. Megjithë lotët dhe dhimbjen e madhe për fatin e të birit, Myftari rrëfen momentet e tmerrshme, kur atij i duhej të identifikonte trupin. “Fillimisht kur trupi doli nga uji, thashë është djali im. Për pak, pas daljes nga uji, fytyra e tij pësoi një transformim. Mu duk sikur nuk ishte me ai... Thashë bashkë edhe më njerëzit e mi, se nuk ishte djali ynë trupi i gjetur. I kishte rrobat në trup. Mora gruan në telefon. Ajo më tha për rrobat që kishte veshur djali. Nga rrobat dhe më pas disa shenja të tjera vërtetova, se trupi i gjetur ishte i djalit tim. Më theri në shpirt, doja të mos e kisha parë kurrë atë pamje të tmerrshme. Nuk e di se si munda ta përballoja atë moment. Mu duk se nuk ishte im bir. Po më kot. Ai ishte Ndriçimi. Shpresonim shumë se mos ndoshta ia kishte hedhur me not dhe kishte kaluar në drejtim të Greqisë. Shpresuam se nuk u bë i gjallë nga tmerri dhe frika e asaj që i ndodhi atë natë të mallkuar”. Babai i 17-vjeçarit nuk mundet ta mbledhë veten, teksa tregoi dje para morgut gjithçka kishte ndier e shpresuar këto ditë. Në shtëpinë e tij është hapur morti ditë më parë. Por një shpresë e vogël, se djali mund të ishte ende gjallë, bëri që as vetë familjarët të mos e pranojnë këtë tragjedi. Askush nuk i ngushëlloi për vdekje ata. “Mbase është gjallë. Ai e dinte notin. Ka kaluar dhe nga tmerri ende nuk ka telefonuar”. Me këto fjalë ngushëlluese ushqehej shpresa e nënës, babait dhe e dy vëllezërve më të vegjël të 17-vjeçarit. “Më vjen shumë çudi se si mund të mbytej im bir. Ai dinte shumë mirë not dhe kjo na bënte të gjithëve të shpresonim shumë se mund t’ia kishte hedhur. Por më kot, ai u mbyt dhe kaq... unë nuk kam më Ndriçim. Atje në Imsht na pret një mort i hapur prej ditësh. Atje më pret gruaja dhe vëllezërit e Ndriçimit, më të vegjël se ai. Kam edhe dy djem të tjerë që qajnë natë e ditë për vëllanë e tyre. Kam një plagë të thellë në zemër. Jeta ime është pa kuptim që sot e tutje” u shpreh Ylli Myftari. Më pas, bashkë me të afërt të tjerë të tij, ai u nis drejt fshatit të tij, me arkivolin e të birit. sh.d
Të akuzuarit e parë në gjykatë
SARANDE - Paraditen e djeshme Gjykata e Shkallës së Parë në Sarandë ka dhënë masën e sigurisë për dy të ndaluarit e parë, për ngjarjen e tragjedisë së Butrintit, ku humbën jetën pesë shtetas. Ahmet Bushi dhe Bashkim Sena, kanë dalë para trupit gjykues për akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit më qëllim përfitimi, me pasojë vdekjen e më shumë se dy personave”. Për shtetasin Ahmet Bushi, bashkëpronar i varkës, ku edhe ka ndodhur tragjedia, Gjykata ka vendosur masë sigurie me “30 ditë burg”, masë të cilën e ka kërkuar edhe prokurori, afat ky derisa të vërtetohet pjesëmarrja e tij në këtë vepër penale. Ndërsa për shtetasin Bashkim Sena masa e sigurisë ka qenë “arrest në burg” për të njëjtën vepër penale. Burime konfidenciale bëjnë të ditur se shtetasi Ahmet Bushi ka dhënë një alibi, që natën e ndodhjes së tragjedisë ka qenë në dasmë. Ndërsa Bashkim Sena ka pranuar akuzën. sh.d