E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet i treti për vjedhjen e tunelit të Kalimashit

Kukës

Policia lokale e Kukësit ka arrestuar pasditen e së enjtes shtetasin A.D., 32 vjeç nga Komuna Tërthore, person i shpallur në kërkim për akuzën e vjedhjes së hekurit në tunelin e Kalimashit, ngjarje kjo e ndodhur në fillim të muajit shkurt. Tre persona, një muaj e gjysmë më parë vodhën nga magazinat e tunelit një sasi prej më shumë se 40 tonë hekur më anë të një trajli, ku pas denoncimit nga përfaqësuesit e firmës “Bechtel-Enka”, policia arriti të arrestojë pak orë pas ngjarjes dy prej tyre. Pas sekuestrimit të mallit të vjedhur dhe ndalimit të dy prej tre të akuzuarve, policia shpalli në kërkim 32-vjeçarin. Ndalimi i tij u bë në autostradën Durrës-Kukës-Morin 5 km larg qytetit, ndërsa i kërkuari po udhëtonte me një furgon drejt shtëpisë së tij. Ndaj tij rëndon akuza e vjedhjes në bashkëpunim sipas nenit 34 të Kodit Penal. Vjedhjet në tunelin e Kalimashit kanë ndodhur edhe më parë, ku persona të papërgjegjshëm kanë abuzuar me “lejet e kalimit” në tunel për shkaqe shëndetësore etj. Vjedhja më e fundit aty është kryer disa javë më parë, ku persona ende të paidentifikuar vodhën bateritë e makinerive të rënda që punojnë aty.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›