Grindet me familjen, 54-vjeçari pi helm
Grindet në familje, 54-vjeçari i jep fund jetës duke pirë fostoksinë. Ngjarja është shënuar rreth orës 21.30 të ditës së enjte në Divjakë, të rrethit Lushnjë. Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se viktima Ylli L., banues në Divjakë, kishte shkuar në banesën e tij në gjendje të dehur, ku është konfliktuar me familjarët e tij. Këta të fundit i kishin kërkuar që ai të hiqte dorë nga alkooli, gjë që ka shkaktuar zemëratën e 54-vjeçarit. I ndodhur në këto kushte, në gjendje të dehur dhe nën trysninë e familjarëve të tij, 54-vjeçari ka marrë dy kokrra fostoksinë, të cilat i kishte në banesë dhe i ka pirë ato në dhomën e tij të gjumit. Familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë dhe duke u përpëlitur në dyshemenë e dhomës. Ndonëse e kanë çuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës dhe mjekët kanë bërë të pamundurën për ta mbajtur në jetë, 54-vjeçari ka ndërruar jetë pak orë më pas. Me marrjen e njoftimit nga spitali i Lushnjës, strukturat e Komisariatit të Policisë Lushnjë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se viktima Ylli L. kishte konsumuar në gjendje depresive fostoksinë, duke gjetur kështu vdekjen. Zyrtarisht Policia e Lushnjës u shpreh se ka qenë një grindje në familje ajo që çoi 54-vjeçarin drejt këtij akti vetëflijues, i ndodhur edhe në kushtet e përdorimit të tepruar të pijeve alkoolike.
#