E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtabi i emergjencave: lokalët neglizhencë për problemet

Fier Akuza për mosmarrjen e masave në parandalimin e dëmeve natyrore

Përfaqësuesit e Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturën e Fierit kanë akuzuar njësitë e qeverisjes vendore për neglizhencë. Shkak i kësaj akuze të bërë publike nga specialisti i zyrës, Viron Bala, ka qenë bilanci i dëmeve nga rrëshqitja e tokës dhe përmbytjet e periudhës që sapo kaluam. “Përgjegjësia bie mbi njësitë e qeverisjes vendore, komuna apo bashki, të cilat nuk kanë marrë masat në kohën e duhur për kanalizimet, pastrimin e tyre apo ndërtimin e elementeve mbrojtëse”, ka thënë Bala. Realisht çdo vit në buxhetin e çdo njësie qeverisëse, 3% e vlerës totale të buxhetit lihet si fond për emergjencat, të cilat, sipas specialistëve, nuk janë përdorur fare, ose janë keqmenaxhuar duke mos u përdorur për qëllimin e përcaktuar më parë. Ndërkohë në shkallë prefekture numërohen 75 banesa të dëmtuara, nga të cilat 42 janë në rrethin e Fierit, ndërsa 33 në rrethin e Mallakastrës. Përveç tyre numërohen dhe 165 banesa të tjera të rrezikuara nga rrëshqitjet e dheut, ku 88 janë në zonën e Mallakastrës dhe 77 në atë të Fierit. Ndërsa për sa u përket sipërfaqeve të tokës të dëmtuara apo të rrezikuara sipas bilancit zyrtar mësohet se 400 ha tokë janë të dëmtuara dhe 342 ha e rrezikuar. Këto sipërfaqe toke janë të mbjella kryesisht me kultura bujqësore, pemëtari etj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›