E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet ish-kreu i Hipotekës, falsifikoi tokë në emër të vjehrrit

Edmond Banushaj, drejtor i Hipotekës së Vlorës në vitit 2006-2009, arrestohet për herë të dytë për falsifikim dokumentesh. Akuzohet se kishte tjetërsuar 2500 m2 tokë, e cila i kishte kaluar në pronësi vjehrrit të tij

Vlorë Ish-kreu i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushaj përfundon për herë të dytë në pranga, i akuzuar për dhënien e një sipërfaqeje toke vjehrrit të tij. Arrestimi i Banushajt u krye dje në shtëpinë e tij nga agjentët e antikrimit ekonomik të policisë së Vlorës. Sipas burimeve nga policia, Banushaj akuzohet se ka ndërhyrë në hartën e pronave të qytetit bregdetar përmes falsifikimit të dokumenteve, ndërsa arrestimi ka ardhur pas disa muajve hetime nga prokuroria. Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Vlorës, ish-drejtori i Hipotekës u ka dhënë troje shtetërore privatëve për ndërtimin e pallateve në qendër të Vlorës. Në këtë rast, përfituesi ka qenë vjehrri i Banushajt. ”Hetimet ndaj tij kanë nisur më datë 30 korrik 2011, pas kallëzimit të marrë nga një shtetas, se nuk i ishte regjistruar një pronë prej 2500 m², e ndodhur në lagjen “11 Janari” Vlorë, të cilën e kishte përfituar konform ligjit 7501 dhe të konfirmuar nga autoritetet zyrtare”, - thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës. Pas hetimeve të kryera është konstatuar falsifikimi i dokumenteve të kësaj sipërfaqeje toke, e cila më pas i ka kaluar vjehrrit të 50-vjeçarit Banushaj. Ish-drejtori i Hipotekës së Vlorës ishte arrestuar edhe më parë në vitin 2009, por më pas ishte lënë i lirë nga gjykata e Vlorës. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga hetimet e kryera nga Seksioni i Krimit Ekonomik ka rezultuar se gjatë kohës që ushtronte funksionin e regjistruesit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, ky shtetas me veprime të paligjshme ka kryer falsifikime të dokumenteve, ka bërë korrigjime të hartave dhe kartelave pasurore, duke favorizuar regjistrimin e tyre në emër të familjarëve të tij. Arrestimi i mëparshëm i Banushajt ishte kryer më 1 tetor 2009, gjatë operacionit të koduar “Fillimi i vjeshtës”. Asokohe u arrestuan bashkë me të edhe ish-juristi Viktor Kuçi dhe kryeplaku i fshatit Vuno, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzoheshin për falsifikime të dokumenteve të pronësisë. Kallëzimi më i rëndë në emër të tij ishte ai për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 800 metrash katror në Vlorë, e cilësuar si pronë shtetërore, e përfituar më pas nga një biznesmen ndërtimesh. Katër ditë pas arrestimit të parë, Edmond Banushaj u lirua nga gjykata për t’u proceduar në gjendje të lirë. Ndërsa dje ai është izoluar në mjediset e Komisariatit të Vlorës, në pritje të vendimit të gjykatës për masën e arrestit kundër tij. Edmond Banushaj e ka drejtuar Hipotekën e Vlorës përgjatë viteve 2006-2009, kohë kur edhe janë kryer falsifikimet për të cilat ai akuzohet. E. Haruni

Arrestimi i Banushajt në vitin 2009

Më 1 tetor të vitit 2009, Edmond Banushaj u arrestua në Tiranë për llogari të Prokurorisë së Vlorës. Ai kishte vetëm pak kohë që kishte lënë detyrën zyrtare, kur në organin e akuzës kishte mbërritur denoncimi që e akuzonte atë për falsifikimin e një sipërfaqeje toke në Vlorë, ku më pas ishte ndërtuar një pallat. I proceduar në gjendje të lirë, Banushaj u shpall fajtor nga Gjykata e Vlorës për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, akuzë e cila i është përsëritur sërish dje nga prokuroria e qytetit të tij. Tashmë, ish-kreu i Hipotekës së Vlorës duhet të përballet me akuzën e tjetërsimit të 2500 metrave katror tokë përmes falsifikimit të dokumenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›