E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, mbrojtja kërkon pafajësi për Ngjeçin

Ish-zyrtari i MEICO-s i akuzuar për vrasje, që rrezikon 23 vjet burg, pretendon se nuk ka asnjë përgjegjësi në tragjedinë e Gërdecit

Tiranë Pas një shtyrjeje 2-javore, procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ka rifilluar me konkluzionet përfundimtare të avokatëve mbrojtës. Gjatë seancës së djeshme, vetëm një prej avokatëve mbrojtës ka mundur të parashtrojë në gjykatë argumentet në mbrojte të klientit të tij, pasi mbrojtësit e tjerë thanë se nuk ishin ende gati për këtë fazë të procesit, duke kërkuar më tepër kohë nga gjykata. I pari që lexoi konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës ishte ai i të pandehurit Sokol Ngjeçi. Avokati mbrojtës kërkoi nga gjykata rrëzimin e akuzave të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “shpërdorim detyre” dhe shpalljen të pafajshëm të klientit të tij, Sokol Ngjeçi. Sipas avokatit mbrojtës, i pandehuri Sokol Ngjeçi në gjithë aktivitetin e tij që kishte të bënte me punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, ka qenë në zbatim të detyrave të tij si zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes. Avokati argumentoi se klienti i tij nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për ngjarjen e Gërdecit, pasi detyrat që i janë caktuar si funksionar i ndërmarrjes “MEICO” nuk lidheshin me pjesën e sigurisë në ambientet e fabrikës së demontimit të predhave në Gërdec. Për këto arsye, mbrojtësi i Ngjeçit kërkoi nga gjykata pushimin e akuzave për klientin e tij dhe shpalljen të pafajshëm. Seancën e shkuar, katër përfaqësuesit e akuzës kërkuan dënimin e Sokol Ngjeçit me 23 vjet heqje lirie për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj 26 personave” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Gjatë seancës së djeshme, avokatët e të pandehurve të tjerë deklaruan se ende nuk kishin përgatitur konkluzionet përfundimtare të klientëve që mbrojnë dhe në këto kushte trupi gjykues i kryesuar nga Ridvan Hado shtyu seancën për pas një jave. Me këto ritme ku pritet që të lexohen konkluzionet e avokatëve edhe për 28 të pandehur të tjerë, shpallja e vendimit përfundimtar mund të shtyhet në kohë edhe për të paktën disa muaj. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›