E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të afërmit e “shenjtores”: Trupi do varroset në vakëf

Përtej konflikteve të pronësisë që pritet të zgjidhen nga gjykata, të afërmit kanë marrë vendim që Eleonora të varrosej në tokën që pretendonte se ishte e shenjtë

Trupi i Eleonora Bregut është transportuar dje paradite nga morgu i Tiranës drejt vakëfit të saj pranë “Kodrës së Diellit” në Tiranë. Me dhjetëra njerëz hynin e dilnin nga shtëpia për të ngushëlluar, kryesisht familjarë, por edhe të njohur të Eleonorës, personazh i njohur kjo për shkak të vetëshpalljes ‘shenjte’ dhe akuzave në të shkuarën për mashtrime. Roja i godinës dhe pronës së Eleonora Bregut, tha dje se ishte i instruktuar në mënyrë të qartë të mos lejonte asnjë media që të shkelte në pronë, duke shtuar se edhe njerëzit që bënin homazhe kishin marrë të njëjtin instruktim nga familjarët. E megjithatë, jo të gjithë vizitorët vendosën të qëndronin në heshtje. Një prej tyre u shpreh dje për mediat se “kishte bërë thjesht një respekt ndaj një personi që e njihte”, ndërsa më pas ka shtuar se ceremonia e varrimit të “shenjtes” së vetëshpallur do të bëhet sot, por si rrallë ndodh në Shqipëri, vendi i varrimit do të jetë në oborrin e pronës prej 14 mijë metrash katror, ku Eleonora jetonte dhe kryente aktivitetet për ithtarët e vet. Kësisoj, Eleonora duket se ka vendosur të qëndrojë përgjithmonë në pronën në Selitë të Tiranës, për të cilën prej shumë kohësh ka qenë në betejë ligjore me disa familje, të cilat e kanë pasur trashëgimi këtë pronë. Me detajet e organizimit dhe të pritjes së njerëzve dje janë marrë disa djem, që mësohet se shërbenin prej disa vitesh në qendrën e Eleonorës, por askush prej tyre nuk dëshironte të komentonte aktin fatal të 58- vjeçares, e cila i dha fund jetës me dorën e saj. Disa prej vizitorëve të djeshëm që ndiqnin ritet e saj prej vitesh, nuk ishin në gjendje të përkufizonin saktësisht aktivitetin e Eleonorës. Ata u shprehën se vinin në këtë qendër sa herë që kishte festa fetare, pavarësisht se cilës fe i përkisnin. H.Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›