Leka Zogu në gjendje të rëndë në spital, vuan nga zemra e mushkëritë
Pretendenti për fronin shqiptar, Leka Zogu është shtruar me urgjencë në Neurokirurgji, për shkak të problemeve në zemër e mushkëri dhe pësimit të një fibrilacioni atrial. Familja mbretërore: Gjendja është relativisht e rëndë, por nën kontroll
Tiranë Leka Zogu, pretendenti për fronin mbretëror, është shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Problemet në zemër dhe mushkëri i kanë shkaktuar fibrilacion atrial, për të cilin po trajtohet në reanimacionin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. 73-vjeçari Leka Zogu është shtruar në këtë spital mbrëmjen e së martës dhe gjendja e tij shëndetësore po monitorohet nga mjeku i njohur, Mentor Petrela. Sëmundja e Leka Zogut është konfirmuar dje edhe nga Oborri Mbretëror Shqiptar, i cili ka pohuar përmes një njoftimi për shtyp se gjendja shëndetësore është e rëndë, por nën kontroll. “Sipas drejtorit të shërbimit të reanimacionit, Prof. Mentor Petrela, “N.M.T. Mbreti Leka I po mjekohet për vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive dhe gjendja e Mbretit është relativisht e rëndë, por nën kontroll dhe po merr terapinë e nevojshme”, - thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga Familja Mbretërore. Duke falenderuar ekipin mjekësor dhe stafin e QSUT-së, të afërmit e pretendentit për fronin e Shqipërisë shpresojnë në përmirësimin e shëndetit të tij. Burime nga reparti i Neurokirurgjisë i thanë mbrëmë “MAPO”-s, se Leka Zogu ka mbërritur në gjendje të rëndë pasditen e së martës. Mjekët bënë të ditur se Leka Zogu u paraqit në urgjencë në gjendje të rëndë, me temperaturë tepër të ulët, deri në 35.2 grade celsius. Pas kontrolleve të kryera janë evidentuar si më problematiket gjendja e zemrës dhe ajo mushkërive, për të cilat ai është futur në trajtim intensiv nga stafi i spitalit, i drejtuar nga Prof. Mentor Petrela, ndërsa gjendja shëndetësore paraqitet më e stabilizuar. Megjithatë, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar konsultat për të parë ndonjë mundësi transportimi jashtë shtetit të Leka Zogut për trajtim më të specializuar. Në orët e vona të mbrëmjes, në spital është parë të hyjë djali i Leka Zogut, ndërsa përfaqësuesit e oborrit kanë përsëritur fjalët se gjendja shëndetësore ndodhet nën kontroll. Leka Zogu ka lindur më 5 prill të vitit 1939 në Tiranë dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në ekzil. Për herë të parë u kthye në Shqipëri në vitin 1993 nga Afrika e Jugut, ndërsa u detyrua të largohej sërish në vitin 1997, pas referendumit për rivendosjen e monarkisë dhe protestave të dhunshme. Në vitin 2002, Leka Zogu u lejua nga shumica e anëtarëve të Parlamentit të kthehej në Shqipëri, ndërsa në vitin 2006 hoqi dorë nga jeta politike dhe publike.
Fibrilacioni atrial
Fibrilacioni atrial është forma më e zakonshme e aritmisë. Prek më shumë të moshuarit, personat me tension të lartë të gjakut dhe ata që vuajnë nga sëmundje të tjera të zemrës. Mjekët shpjegojnë se fibrilacioni atrial mund të shkaktojë infarkt, këputje dhe insuficiencë kardiake.