E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet ish-polici në gjykatë, kërcënoi policin

15/06/2005  Kundërshtoi forcat e rendit që të mos e kontrollonin

TIRANË – Tensionohet situata në Gjykatën e Tiranës. Sharjet, fyerjet dhe kërcënimet janë të përditshme në këtë gjykatë, e cila brenda ditës pret dhe përcjell mijëra njerëz hallexhinj. Mes tyre ka edhe nga ata persona, të cilët futen të armatosur, madje në shumicën e rasteve nuk dëshirojnë t'i nënshtrohen kontrollit periodik.

Incidenti

Situatë tensionuese ka qenë dje në mesditë, kur një qytetar u konfliktua me punonjësin e togës së shoqërimit, Iftimi Bërdufi, teksa po kryente detyrën e kontrollit personal, para se të futej në sallën e gjyqit. Aparatura e vendosur te dera kryesore e sallave të gjyqit, ka bërë që avokatë, familjarë dhe shumë persona të tjerë, të mos i binden urdhrit për t’u kontrolluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dje me shtetasin Odise Kana, ish- punonjës i policisë në Komisariatin numër 1, pronar i një buzuku, në rrugën e "Dibrës". Ky i fundit kërkonte të futej në gjykatë me pretendimin se do të interesohej për një çështje private. Të pranishëm në këtë moment ishin shumë njerëz. Po kështu të pranishëm kanë qenë edhe gazetarët, të cilët në këtë rast kanë parë një konflikt, që për pak mund të shndërrohej në tragjedi. Polici Iftimi Bërdufi i kërkoi t'i nënshtrohej rregullave të vendosura nga eprorët, Kanës. Kaq është dashur, që midis Kanës dhe policit Bërdufi të fillonte një komunikim jo i këndshëm. Ndërsa, Kana kërkonte të futej në gjykatë pa dashur t'i nënshtrohej rregullave të kontrollit, Bërdufi këmbënguli, duke i thënë të dilte jashtë. Fyerjet kanë qenë të rënda. Punonjësi i policisë i kërkoi Kanës të dilte jashtë gjykatës, për të mos u kthyer më. Por Kana vazhdonte të fyente dhe shante rëndë policin, i cili fillimisht u mundua të ruante qetësinë. Por situata u acarua më tej. Qytetari Kana, në tentativë për t’u larguar, shau nga motra policin, i cili u irritua, duke lënë vendin e punës dhe ndjekur nga pas.

Arrestimi

Jashtë mureve të gjykatës, polici Iftimi Bërdufi në përpjekje për të kapur qytetarin Odise Kana, i cili u largua me vrap nxori pistoletën, duke qëlluar një herë në ajër. Në këto çaste tensioni ishte tepër i lartë, pasi të gjithë kalimtarët dhe njerëzit që qëndronin në pritje të fillimit të proceseve gjyqësore u shtangën në vend. Odise Kana u ndalua nga një badiguard i Gjykatës së Krimeve të Rënda, i cili më parë i bëri thirrje për të ndaluar. I vetëm përballë Kanës, polici i ndërhyrjes së shpejtë e shoqëroi në ambientet e dhomave të izolimit në gjykatë. Odise Kana, pasi u ndalua nga polici, iu nënshtrua një torture të pazakontë. Në momentin e ndalimit nga policia dhe shoqërimit për në ambientet e Komisariatit numër 2, qytetari Odise Kana ishte i mbuluar në gjak. Bashkë me të në komisariat vajti edhe polici Bërdufi, i cili bëri kallëzimin.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›