E Diel, 1 Nëntor 2026

Qëlloi mbi policët, dënohet 12 vjet burg

15/06/2005  TIRANË – Sokol Vuçeta qëlloi mbi punonjësit e policisë, pasi mori urdhër për t’u dorëzuar. Gjykata e deklaroi fajtor për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, duke e dënuar me 12 vjet heqje lirie. Nuk ka reaguar gjatë seancës për dhënien e vendimit. Ndërkohë që organi i Prokurorisë kishte kërkuar për të pandehurin dënimin me 20 vjet burg. Për gjykatën, kjo masë dënimi është tepër e rëndë, duke patur parasysh pasojat që kanë ardhur nga kryerja e veprës penale. Për gjykatën, i pandehuri është fajtor për ngjarjen e ndodhur në 29 prill 2004, kur qëlloi mbi policët që kishin marrë detyrë të ekzekutonin vendimin e gjykatës ndaj tij dhe vëllait. Në vendim, gjykata tha se i kërkuari i është përgjigjur me zjarr thirrjes së policisë, që vajtën në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës pas caktimit të masës së sigurimit burg pa afat. Së bashku me vëllain e tij, Luigj Vuçeta, në fillim të prillit të vitit të kaluar i morën një sasi të hollash shtetasit Nikolin Xhaferri. Për këtë vepër penale të parashikuar nga neni 109/1 KP, Gjykata e Shkodrës caktoi për vëllezërit masën e arrestit burg pa afat në mungesë. Nga informacionet, policia zbuloi se Sokol Vuçeta ndodhej në banesën e tij. Kështu, në datën 29 prill, policët Astrit Ago, Eduard Rusta, Pjerin Lazi, Nik Çudi, Paulin Zhibani dhe Çesk Kaçi, morën detyrën për të ndaluar të pandehurin.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›